BeH, fillon evakuimi i detyrueshëm i popullatës nga zonat e rrezikuara të prekura nga përmbytjet
Në seancën e tretë të jashtëzakonshme të sotme, Shtabi Federal i Mbrojtjes Civile në Bosnjë dhe Hercegovinë nxori një urdhër për evakuimin e detyrueshëm të popullsisë nga zonat e rrezikuara të Komunës së Jabllanicës dhe qytetit të Konjicës, të cilat së fundmi u prekën nga përmbytje shkatërruese, transmeton Anadolu.
Aldin Brashnjiq, drejtor i Drejtorisë Federale të Mbrojtjes Civile, ka konfirmuar për Anadolu se Shtabi Federal i Mbrojtjes Civile në një seancë të jashtëzakonshme ka lëshuar urdhër për evakuimin e detyrueshëm të popullsisë.
“Evakuimi tashmë është duke u zhvilluar, ekipet në terren janë po kryejnë evakuimin së bashku me shërbimet komunale dhe kantonale, si dhe shërbimet e shpëtimit nga Kroacia dhe Serbia. Të gjithë janë në terren dhe po kryejnë evakuimin”, tha Brashnjiq.
Ai theksoi se popullata do të evakuohet para reshjeve të reja, të cilat janë paralajmëruar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së sotme.
“Ata sigurisht që do të arrijnë të evakuojnë popullsinë deri atëherë, sepse ne nuk besojmë se ka kaq shumë banorë për të evakuuar. Bëhet fjalë për popullsinë që është në rrezik më të madh”, tha Brashnjiq.
Gjatë javës së kaluar përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje të dheut goditën zonat e Jabllanicës, Konjicës, Kiseljakut, Fojnicës dhe qyteteve të tjera, duke marrë shumë jetë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Kujtojmë se, më 4 tetor të këtij viti në Bosnjë dhe Hercegovinë të paktën 15 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet.
Ndërsa, kryqi i kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut pas përmbytjeve në Bosnje dhe Hercegovinë ka kontaktuar Kryqin e Kuq në Bosnjë-Hercegovinës dhe sipas vlerësimit të nevojave të tyre, ata i kanë ofruar ndihmë në burime materiale, teknike dhe njerëzore për përballimin e pasojave.