BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re, përmend dialogun me Serbinë
Një ditë pas raportimit të KOHËS se BE-ja nuk do t’i heqë masat ndaj Kosovës as pas transferimit të pushtetit lokal në veri, zyrtarë nga Brukseli thanë se janë të gatshëm të punojnë me autoritetet e Kosovës, por pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Ata po ashtu e kanë përmendur edhe përparimin në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në një përgjigje për KOHËN nga një zëdhënës i BE-së është thënë se Komisioni pret që Kosova të rikthehet në trajektoren e reformave të domosdoshme dhe të avancojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dy kushte thelbësore për përparim drejt BE-së.
“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve… BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në përgjigje.