BE-ja dhe SHBA-ja reaguan për moscertifikimin e Listës Serbe në Kosovë
SHBA-ja ka shprehur shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ambasada e SHBA-së në Kosovë, në një përgjigje për Koha.net, ka thënë se është thellësisht e shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të KQZ-së për t’i mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe.
“Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës për KOHËN.
Bashkimi Evropian ka thënë se është për keqardhje moscertifikimi i Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. KQZ-ja ka marrë vendim të hënën të mos e certifikojë Listën Serbe. Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka thënë se procesi i certifikimit “duhet të bazohet në standarde e procedura ligjore e jo në konsiderata politike”.
“Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe fer, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës dhe zbatimin e barabartë të tij. Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standardet dhe procedurat ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, e jo në konsiderata politike. BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
BE-ja pret nga KQZ-ja dhe anëtarët e saj, që të sigurojnë “me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm e transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë të shprehin qartë zgjedhjen e tyre”.
Ndaj vendimit të KQZ-së ka reaguar edhe SHBA-ja, që ka shprehur shqetësimin për vendimin.