Sumeje Murtezi: Shqiptarët e RMV-së kanë mendësi pak më të rëndë në lidhje me sipërmarrësinë nga një grua

Kësaj here në Portalb.mk sjellim bisedën me Sumeje Murtezin, ajo së fundmi u dekorua si sipërmarrësja më e suksesshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore. Murtezi tregoi për sfidat me të cilat gratë shqiptare ballafaqohen gjatë karrierës, tejkalimin e tyre si dhe mënyrat për të arritur deri tek suksesi.

Portalb.mk: U dekoruat me çmimin si grua sipërmarrëse më e mira nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut, na tregoni se si filluat me sipërmarrësi dhe si arritët deri në këtë pikë që të dekoroheni me një çmim të tillë?

Sumeje Murtezi: Ambicia për të pasur çerdhe për fëmijë ka qenë e kamotshme, andaj edhe angazhimi im profesional ka qen në këtë fushë që do të thotë, se në fushën e studimeve kam përfunduar fakultetin dhe masterin në fushën e pedagogjisë profesionale dhe arsimore. Për të hapur çerdhe private dhe me licencë nuk ka qen aspak lehtë, por fillimisht me ndihmën e Agjensionit për Punësim, UNDP dhe Ministrisë për Punë dhe Politikë sociale arrita ta hap çerdhen e cila funksionon tash e 6 vite. Vështirësitë ishin të shumta, mendësia te ne si shqiptar është pak më e rëndë kur mendohet se një grua nuk mund të udhëheq një biznes, por mua nuk më ka penguar, përkundrazi më ka dhënë vullnet që të kërkoj mundësi se si ta zhvilloj punën dhe angazhimin me fëmijët.

Portalb.mk: Cilat janë sfidat që gratë në sipërmarrësi ballafaqohen te ne në këtë profesion, a ka mosbesim ndaj tyre, si e dëshmove ti të kundërtën?

Sumeje Murtezi: Për të udhëhequr një biznes një grua duhet të ketë vetëbesim dhe të jetë e sigurt në vete me atë çka donë të realizon, cilat janë synimet e saj. Nëse këto tipare nuk i ka nuk do të mundet t’ia del. E dyta që po aq është me rëndësi është përkrahja e familjes, e cila luan rol të rëndësishëm. Pa ndihmën e bashkëshortit, fëmijëve, vështirësitë janë më të mëdha. Unë kisha fat që kisha ndihmë dhe përkrahje nga familja ime. E përmenda edhe më herët që ne shqiptarët e Maqedonisë Veriore kemi një mendësi pak më të rëndë në lidhje me sipërmarrësinë nga një grua. Sikur nuk besojmë në aftësitë e saj dhe kërkojmë se pas saj kush qëndron, nuk mundet që një grua të ballafaqohet me sfidat dhe vështirësitë që i dalin në çdo hap të saj. E për të ndryshuar këtë mendësi na duhet gjithsecili të punon duke filluar nga familja, bazamenti i parë ku fillon gjithçka.

Portalb.mk: Sa ishte e vështirë për ju të hapni një biznes e sidomos një kopsht për fëmijë ?

Sumeje Murtezi: Për të hapur një kopsht privat duke i plotësuar gjitha kushtet që kërkon ministria sociale, nuk është aspak e lehtë, por vërtet këto kushte që duhet të plotësohen janë për një mbarëvajtje të mirë për fëmijët. Andaj neve na u deshtë që të ndërrojmë objekt dhe tash jemi në objektin e tretë për këto 6 vite pune dhe vërtet hapësira ku jemi tani është super luksoz dhe modern që i plotëson gjitha kushtet për një çerdhe moderne, e ku fëmijët kanë hapësirë dhe mundësi që ta plotësojnë kohën këtu pa u bezdisur fare. Angazhimi, puna, idetë, risitë dhe gjitha projektet që kemi bë deri tani dhe që i planifikojmë për vitin 2025 do të jetë për të mirën e fëmijëve duke filluar nga mosha 1- 6 vjet, e që përfshin zhvillim në fushën sociale, aspektin kreativ, të menduarit kritik, lojë, rekreacion etj.

Portalb.mk: Cilat do ishin këshillat e tua për të gjitha gratë që duan të hapin bizneset e tyre, ku të drejtohen dhe cilat do ishin disa dyer që do u hapnin atyre rrugën drejt suksesit?

Sumeje Murtezi: Të gjitha ato gra të cilat kanë ambicie dhe ide për të hapur biznes të vetin, u sugjeroj që njëherë të marrin konsultime profesionale, lidhje me dokumentacionin e duhur për të hapur biznes, pastaj sugjeroj të drejtohen në ministrinë e ekonomisë, Agjensionin për Punësim, UNDP ku mund të marrin informata të duhura lidhje me idenë e tyre si ta zhvillojnë deri në realizim. Por e para dhe më e rëndësishmja është se duhet ta kenë vetëbesimin dhe sigurinë në vete, sepse do ti duhet për ti bërë ballë sfidave që i dalin para që nga dita e parë, përndryshe më vjen keq ta them se mund ti dështon qysh në fillim.

Portalb.mk: Sa u jep vendi jonë përkrahje grave që duan të futen në biznes, a ka ndonjë diskriminim pozitiv në vend?

Sumeje Murtezi: Deri tani nuk kam vërejtur ndonjë diskriminim në vendin tonë, ajo që mungon te popullata shqiptare në trevat tona është se mungon vetëbesimi për të udhëhequr një biznes tek vetë gratë, megjithatë me përkrahjen e të afërmeve dhe familjarëve, besoj se çdo grua do t’ia del.

Portalb.mk: Fusha e biznesit dhe sipërmarrësisë në vendin tonë është e dominuar nga burrat, cili është vlerësimi yt?

Sumeje Murtezi: Po shumë e vërtetë. Faktorë janë shumë, i ceka dhe më lartë, por shpresoj që ky fenomen do të ndryshohet nga vetë ne gratë. Tek e fundit nëse ne vetë nuk marrim guxim, askush nuk do të na prijë para.

Portalb.mk: Shohim se çdo ditë të rinjtë ikin në vendet e perëndimit për një jetë më të mirë, si munden ata të tregojnë potencialin e tyre këtu përmes sipërmarrësisë?

Sumeje Murtezi: Para disa dite nga Qeveria doli njoftim për atë rinjtë që janë deri 29 vjet, ju ofrohen ndihmë financiare për të avancuar idetë e tyre deri në zhvillim e për të hapur biznes, me një fjalë të mbesin në vendlindje. Atë që ua përcjelli djemve të mi, ua përcjelli edhe të rinjve shqiptarë, shkollohuni, aftësohuni dhe merrni shkathtësi nëpërmjet trajnimeve të ndryshme edhe angazhohuni në vendin tonë, të punojmë të gjithë së bashku që ta ndryshojmë në të mirë. Duke i bashkuar forcat të gjithë në të mirë edhe vendi jonë mund të ofron jetë të mirë. Nga ngjarjet në nivel global të gjithë e shohim se edhe perëndimi nuk është si përpara. Dhe atje duhet të punohet nga dy puna për të pasur një jetë mesatare, pse këtë mos ta bëjmë në vendin tonë. Kemi të rinjtë që kanë potencial intelektual dhe aftësues, vetëm se ju duhet ndihmë për ti orientuar në kahje të duhur për të arritur deri tek suksesi. Tek e fundit jemi nga popullatat në Evropë që kemi intelekt të zhvilluar.