U anulua konkursi për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit në RTM
Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë ka anuluar konkursin publik për zgjedhjen e zëvendësdrejtorit të RTM-së, të shpallur më 24.03.2026, raporton RTM.
Nga Këshilli Programor njoftojnë se procedura e përzgjedhjes u zhvillua në përputhje të plotë me Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Statutin e RTM-së, duke siguruar kushte për transparencë, trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve dhe vlerësim objektiv të programeve të tyre.
Në kuadër të procedurës u shqyrtuan aplikimet e gjithsej 11 kandidatëve. Pas votimit, asnjë nga programet nuk mori shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit Programor, që është kusht për zgjedhje.
Në përputhje me statutin, u zhvillua një votim i përsëritur për dy programet me numrin më të madh të votave, por as në këtë fazë nuk u sigurua shumica e kërkuar. Konkurs i ri për zgjedhjen e një zëvendësdrejtori të RTM-së do të shpallet brenda 30 ditëve, njoftojnë nga Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë.
Ndryshe, Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë më 23 prill njoftoi se pas përfundimit të procedurës ligjore, për drejtor të RTVM-së është zgjedhur Zoran Ristoski. Sipas njoftimit, në garë u shqyrtuan gjashtë kandidatura. Përzgjedhja u bë mbi bazën e cilësisë së programeve të punës, përmes votimit anonim, ku identiteti i kandidatëve nuk ishte i njohur gjatë vlerësimit. Pas përzgjedhjes së programit më të vlerësuar, u verifikuan të dhënat e kandidatit dhe përmbushja e kushteve ligjore.
Në qershor 2019, Departamenti i Policisë Financiare ngriti padi penale kundër ish-Drejtorit Cvetkovski për shpërdorim të detyrës, duke shkaktuar dëm prej 154 milionë denarësh ose mbi 2 milionë euro për shtetin. Siç tha Policia Financiare në atë kohë, në vitin 2015, kur mori një kredi nga një bankë tregtare vendase, Cvetkovski i vuri peng asetet e RTM-së pa pëlqimin e Parlamentit, i cili është themeluesi i saj. Cvetkovski kërkoi kredi prej 140 milionë denarësh dhe i vuri peng asetet e RTM-së prej 294 milionë denarësh.