BDI-ja dhe ASH-ja nga Fronti Europian kanë reaguan në lidhje me “balancerin”

Fronti Evropian, përmes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut rreth përqindjes së “balancerit”. Ata vlerësojnë se kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, transmeton Portalb.mk.

“Dënojmë ashpër vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën e “balancerit” nga 29. 5 % siç është nxjerë nga përqindja e popullsisë totale, në 24.3%, që nënkupton mijëra shqiptarë më pak në institucionet shtetërore”, deklaruan nga BDI-ja.

Ata vlerësuan se përmes këtij ndryshimi do të goditen rëndë të arriturat rreth përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve në Maqedoninë e Veriut, ashtu që do të ulet ndikimi dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale.

“Ndryshimi i formulës për të reflektuar vetëm popullësinë rezidente dhe jo atë të përgjithshne është një përpjekje e qartë për të margjinalizuar komunitetin shqiptar por edhe për të minuar kontributin e popullatës jorezidente të cilët kanë dhënë kontribit të vazhdueshëm në stabilitetin financiar të vendit përmes remitancave”, vlerësoi BDI-ja.

Ish-ministri për Administratë dhe Shoqëri Informatike, Naim Bajrami, në emër të Aleancës për Shqiptarët alarmoi që përmes këtij ndryshimi,nuk do të ketë punësime për shqiptarët në të ardhmen.

“Kjo nënkupton që për vite me radhë në të ardhmen, nuk do të punësohet asnjë shqiptar në ato institucione ku përqindja e shqiptarëve ka arritur 24% e që në praktikë do të thotë se një numër i madh i institicioneve do t’i kenë dyert e mbyllura për shqiptarët”, deklaroi Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.

Ai vlerësoi që partitë shqiptarë në Qeveri nuk duhet të qëndrojnë akoma aty.

Ministri i Administratës Publike Goran Minçev, sot (26.07) njoftoi se janë ndryshuar përqindjet e balancuesit, mjeti për punësim sipas nacionalitetit në institucionet shtetërore. Në gusht 2022, ministri i atëhershëm Admirim Aliti bëri një përllogaritje të re, duke numëruar diasporën nga regjistrimi i vitit 2021 dhe rriti përqindjen e punësimit të shqiptarëve në 29.54%.

Kujtojmë se ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloganë fund të majit 2023, tentoi që ta zgjidh problematikën e keqpërdorimit të përkatësisë etnike gjatë punësimit, duke nënshkruar një udhëzim me çka do të vendosej përkatësia etnike në dokumentet e gjendjes civile. Por, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi këtë udhëzim në fund të muajit shkurt të këtij viti.