Ballkani Perëndimor vitin e kaluar pati rritje të konsiderueshme prej 40 përqind të incidenteve kibernetike

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) me mbështetjen e Komisionit Evropian, organizoi të martën në Tiranë Konferencën e dytë të Nivelit të Lartë mbi temën “Sfidat e sigurisë kibernetike dhe mundësitë në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca përfshiu diskutime mbi infrastrukturën, duke prezantuar zgjidhje praktike nga perspektiva e sektorit privat dhe publik, si dhe eksploroi mënyrat se si teknologjitë në zhvillim mund të rrisin sigurinë e infrastrukturës kritike në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, në hapje të kësaj konference tha se vitin e kaluar, RCC kishte filluar një dialog të nivelit të lartë për sigurinë kibernetike dhe që atëherë siç tha rajoni ka parë përparim të rëndësishëm.

Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së Majlinda Bregu në hapje të Konferencës së dytë të Nivelit të Lartë me temë “Sfidat dhe mundësitë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor” në Tiranë më 9 korrik 2024 (Foto: Armand Habazaj)

“ Të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë përparësi aftësive digjitale në agjendat e tyre kombëtare të reformave. ID-Wallet (Portofoli ID), fillimisht propozim i RCC-së, tani njihet nga BE-ja për aderim në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Europian. RCC, me mbështetjen e BE-së, po zhvillon një qasje rajonale të sigurisë kibernetike. Legjislacioni i Ballkanit Perëndimor është në përputhje me ato të BE-së dhe siguria kibernetike është tani një fokus kyç në Tregun e Përbashkët Rajonal, duke synuar integrimin në Tregun e Përbashkët të BE-së deri në vitin 2028. Përpjekjet përfshijnë përafrimin me kornizën e certifikimit të sigurisë kibernetike të BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e legjislacionit të IA. Përqafimi i gjithëpërfshirjes është parësor në përpjekjen tonë për të zbatuar masat e sigurisë kibernetike në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha Bregu.

Në këtë konferencë gjithashtu u bë e ditur se Ballkani Perëndimor ka parë një rritje të konsiderueshme prej 40% të incidenteve kibernetike vitin e kaluar.

Në vitin 2023, më shumë se 1.2 milionë të dhëna personale u ekspozuan për shkak të shkeljeve të të dhënave në rajon dhe sulmet e “ransomware” janë rritur me 200% gjatë dy viteve të fundit. Kërkesa mesatare për shpërblim në rajon është rreth 150,000 euro, me disa organizata që paguajnë mbi 1 milion euro për të rikuperuar të dhënat e tyre. 75 për qind e bizneseve në Ballkanin Perëndimor raportuan sulme “phishing” vitin e fundit.

Si platformë për diskutime të strukturuara dhe gjithëpërfshirëse mbi sfidat dhe mundësitë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, Konferenca mblodhi përfaqësues të Ministrive të Ballkanit Perëndimor dhe aktorë përkatës rajonalë dhe ndërkombëtarë për të debatuar mbi prioritetet për përmirësimin e situatës aktuale të sigurisë kibernetike në rajon.

Çështjet kryesore që dolën nga konferenca përfshinë aktivitetet në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal