BABAI I SHQIPES SË NJËSUAR

Po të përgatitej lista e personaliteteve shqiptare që e shkrinë jetën për çështjen e Shqipes, pa dyshim që në krye të saj do të qëndronte emri i titanit të Rilindjes, zejtarit të shkrimit që i shndërronte fjalët në diamantekryekalorësit të kujtesës, prometeut të pashpërbëshëm  dhe Sizifit që deshi të lëvrojë shkëmbin – Faik Konicës, shkrimet e të cilit, përkundër mohimit gjysëmshekullor, vin të freskëta edhe në kohën tonë, në veçanti trajtesat mbi gjuhën.

Misionin për mëkëmbjen e Gjuhës shqipe e nisi në vitin 1893, kur e krijoi një bibliotekë me librat e albanologëve të huaj dhe kur shkroi artikujt mbi kombësinë shqiptare në gazetat e Parisit, në një kohë, kur, për shumçka: propaganda shqipe ishte një zero, kurse ai ishte një nga të rrallët që merrej me këtë çështje.

Konica nuk ka shkruar shumë vepra. Megjithatë, po të kategorizoheshin shkrimet e tij sipas temave të trajtuara do të bëhej një libër vetëm me esetë mbi dialektet e shqipes dhe nevojën e shkrirjes së tyre  në një gjuhë të vetme të shkruar për të gjithë shqiptarët.

Mjerisht, kemi bërë pak për kontributin që dha Ai në këtë fushë, madje, për ironi të fatit, vepra më e panjohur e tij është pikërisht ajo mbi gjuhët e natyrshme dhe artificiale, e nxitur nga dëshira për të mbrojtur shqipen nga rreziku i hegjemonizmit të të fortëve.

Në sprovën me titullin “Për gjuhën”, ai sikur sfidon edhe meëmurët e kohës sonë, që standardin e shqipes e pjesëtojnë në gjuhë krahinash, pa e lodhur mendjen se: shpërbërja e gjuhës është  shpërbërje e etnisë. Ja si e sqaroi këtë rrezik Konica: Sot shoh një turmë t’errët prej analfabetësh me dipllomë që po i sulen shqipes dhe duan t’i vënë thikën në kurriz, që t’a gdhëndin pas formës që u pëlqen atyre, se të gjorët kujtojnë se gjuha është si një copë dru pa shpirt; nukë dinë që është një gjë jo vetëm e gjallë po dhe shum’ e hollë, aqë sa, po i shtrembërove pakëz një nyjë a një dell, trupi i tërë tronditet, vuan dhe humbet forcën bashkë me bukurinë…

Në këso rrethanash Konica e ndjeu se kishtë ardhur koha ta shkruajë një libër për gjuhën shqipe. Një librë të vogël, thoshte Ai, se për fat të mirë s’kam hapur fabrikë frazesh.

I këtillë ishte Konica: i qartë, konkret dhe konciz. Puna e tij nuk ishte serike, po punë dore e një ustai të shumëdijshëm – atipik dhe të parakohshëm në mesin e shqiptarëve, ku festoheshin për gjeni tipat si doktor Adhamudhi i Çajupit.

Në esenë “Dialektet e Shqipërisë dhe nevoja e shkrirjes së tyre”, 80-të vjet më parë, parandjeu atë që ndodhi në Kongresin e drejtshkrimit, më 1972: Sipas mendimit të disa shqiptarëve të shkolluar, s’ka pikë dyshimi se kjo gjë duhet bërë. Ata thonë se kur dialekti toskë të ketë arritur pjekurinë do të thëthitë fatalisht dialektin gegë i cili nuk është lëvruar. Për ta mbështetur këtë tezë, ata citojnë faktin e drejtë se shumë shkrimtarë gegë përdorin në shkrim toskërishten. Por ne nuk jemi të një mendimi me ta sepse e dhëna e tyre nuk na duket përfunduese. Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë…

Fragmenti i mësipërm tregon sa i kujdesshëm, i drejtë dhe korrekt ishte Konica kur fliste e shkruante për Gjuhën. Ai, ndryshe prej zaptiejve dhe jeniçerëve të kulturës, argumentonte se ndërmjet dy dielekteve bazë të Shqipes: Ndryshimet kanë të bëjnë vetëm me shqiptimin. Por, në një vend ku mungojnë traditat shkollore, ky ndryshim shqiptimi theksohet, në vend që të pakësohet.

Ai i njihte edhe detajet e vështirësive me të cilët do të ballafaqohen Shqiptarët pamjelargës, që i kishin hyrë betejës për bashkëjetesën e dialekteve dhe shkrirjen e tyre në një gjuhë të vetme letrare dhe të shkruar e cila do të jetë e njëllojtë për të gjithë.

Pikërisht për mbarëvajtjen e këtij projekti madhor dhe për të shpënë përpara propagandën gjuhëtare  Konica themeloi revistën enciklopedike ALBANIA, të cilën deshi ta bëjë aq të vlefshme, sa të mos kishte si ajo ndër popujt e tjerë të Ballkanit.

Dhe ALBANIA vërtet u bë magazini që gatoi ushqimin shpirtëror të një kombi të tërë, e përkohshmja që e bëri shqipen gjuhë shkrimi dhe e shndërroi në shtyllë qendrore të qenies sonë – urë të vërtetë për të bashkuar gegët e toskët, roje të identitetit evropian të kombit. Shi për këtë Konica nuk hezitoi t’ua kujtojë bashkëkombësve si ishte gjuha jonë para botimit të kësaj reviste, duke i ftuar njëkohësisht që të ngjeshin rradhët e të shpiejnë me tej punët e filluara, gjersa të plasin armiqtë mërie.

Eseja “Parashtresë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, e shkruar frëngjisht në vitin1899, është ndër përpjekjet e para shqiptare për ta njohur e për ta kultivuar Gjuhën e shkruar shqipe, në rrethanat kur kjo gjë pengohej me sistem nga armiqtë tanë. Sipas tij: Deri më 1877 shumë pakë shqiptarë kishin ide se gjuha e tyre mund dhe duhej të shkruhej. Se gjer asokohe, ndjenja e gjuhës kombëtare ekzistonte vetëm në embrion dhe sidomos në mes të disa shtresave të shquara. Se ishin të paktë veprimtarët e disporës, që punonin për alfabetin e Shqipes, që hapnin shkolla dhe përhapnin  shijen e gjuhës amtare…

Konica ishte i sigurt se: pa themelimin e një gjuhe të vetme për të gjithë shqiptarët, populli ynë nuk do të quhet kurrë komb i vërtetë, nuk do ta njohim kurrë jetën e përbashkme, sepse, pa gjuhën nuk ka jetë kombëtare.

Ai ofroi zgjidhje konkrete për krijimin e gjuhës së vetme shqipe dhe ofroi shembuj të gjuhëve të përbashkëta te popujt tjerë, duke thënë se: disa popuj kanë ardhur gjer te gjuha e përbashkët nëpërmjet veprave të shkronjëtarëve të mëdhenj, që i japin dialektit të tyre një shkëlqim të madh dhe e ngrenë atë më sipër se dialaktet tjera, deri sa të pranohet si gjuhë e parbashkët e vendit… Disa të tjerë kanë pranuar si gjuhë të përbashkët gjuhën e oborreve të tyre mbretërore… Po ne shqiptarët, thoshte Ai: as kemi mbret, as kemi kohë të presim që punën e gjuhës së përbashkët ta kryejë fama e veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, ndaj, jemi të shtrënguar të vemi shpejt, duke bërë me të marrë vesh atë punë që koha do ta bënte më mirë se në sikur të prisjim dot.

Thamë më sipër se Konica ka shkruar shumë për gjuhën tonë, duke u përpjekur ta mbrojë atë edhe prej shqiptarëve.

Për gjuhën, Ai sfidoi hegjemonizmin evropian me sprovën e njohur: “Falsifikimi më kolosal në historinë e llojit njerëzor”, e botuar në Paris në vitin 1904, që trajton mohimet e gjuhëve klasike orientale dhe përpjekjen e zëvendësimit të tyre me gjuhë të reja, si santalishtja.

Tema e sprovës në fjalë është e ngjashme me atë të kryeveprës “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, të cilën e shkroi me pseudonimin Pyrrhus Bardhyli, në moshën 27 vjeçare. Polemika e Konicës, thotë Luan Starova: do ta vërë në sprovë tërë fuqinë intelektuale të tij, të shtresuar nëpër universitetet evropiane dhe tërë logjikën e tij për të drejtën e ekzistimit natyror të popullit të vet të shtypur dhe përpjekjeve për t’ia përbuzur, asimiluar e çrrënjosur me invadime të shumta gjuhën e papërkryer amtare dhe me shumë nyje arkaike në thellësinë e saj historike, me domethënie të pazgjidhura, por edhe me vlera të mëdha estetike.

Argumentet që shtroi Ai në mbrojtje të gjuhës, si tipar thelbësor i një identiteti, janë mbresëlënëse, po, për shkak të natyrës së këtij shkrimi, po sjell vetëm disa prej tyre:

– Gjuha është fizionomia tingullore e racës, njësoj si tipi fizik, fytyrat, gjestet e zakonshme, qëndrimet.- Gjuha është përfaqësuese e gjenisë kombëtare, në lidhje të ngushtë e të drejtpërdrejtë me mendjen dhe pamjen e races.
Pranimi i një gjuhe artificiale, do ta kishte vonuar procesin e konstituimit kombëtar të popujve të robëruar të Ballkanit dhe të atyre me shtrirje të vogël gjuhësore.
– Gjuha është treguesi i sigurt i gjendjes së qytetërimit të një populli.
– Fjalët e një gjuhë nuk përfaqësojnë të njëjtën vlerë për dy njerëz (një i ditur dhe një i paditur, e lëre më për njerëzit e etnive të ndryshme…

Pjesëmarrja në polemikën evropiane është dëshmi se Konica nuk merrte penën në duar për të prekur sipërfaqen e temave të ndjeshme. Ai nuk ishte peshk që noton mbi syprina ujërash, po një nëndetëse gjigante që zhytej në thellësinë e thellësirave për të nxjerrë që andej fshehtësira dhe të panjohura interesante për publikun lexues.

Ndanë të gjithave, kontributi më i madh që dha Konica për gjuhën “si pajë shpirtnore e kombit” qe mënyra se si e shkroi atë.

Mjerisht, mbas luftës antifashiste, vepra e Konicës u përjashtua nga letërsia, gjë që ndokoi në zhvillimet e mëvonshme gjuhësore e kulturore. Përjashtimet e tij nga ngjarjet për të cilat shkriu tërë qenien, më shumë se për të flasin për paradokset e paradokseve shqiptare, viktimë e të cilëve vazhdojmë të jemi sot e gjithë ditën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.