Autoritetet në RMV thonë se nuk ka rrezik të madh nga përhapja e hantavirusit
Komisioni për Sëmundje Infektive, i formuar nga Ministria e Shëndetësisë, mbajti mbledhje me qëllim shqyrtimin e situatës lidhur me paraqitjen e një klasteri me hantavirus – varianti Andes në nivel global dhe vlerësoi se në vendin tonë rreziku për paraqitjen dhe përhapjen e virusit është i ulët, ndërsa sistemi shëndetësor është i përgatitur për përballimin e një paraqitjeje eventuale të infeksionit, transmeton Portalb.mk.
“Instituti i Shëndetit Publik disponon reagentë për vërtetimin laboratorik të virusit, si dhe procedura standarde operative për diagnostikimin e këtij virusi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria shtojnë se Klinika Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile disponon kapacitete të përshtatshme për trajtimin e pacientëve eventualë me simptomatologji karakteristike për infeksion me hantavirus – varianti Andes, përkatësisht posedon kushte adekuate për kujdes intensiv, ventilim mekanik dhe mbështetje respiratore.
Komisioni theksoi se varianti Andes, ndryshe nga variantet e tjera të hantavirusit, ka mundësi transmetimi nga njeriu te njeriu gjatë kontaktit të afërt dhe të zgjatur, por është e rëndësishme të theksohet se transmetimi nuk është i shpejtë dhe i lehtë si te infeksionet me koronavirus.
Hantavirusi janë një grup virusesh që përhapen kryesisht nga brejtësit, si minjtë dhe miu i egër, përmes urinës, jashtëqitjeve ose pështymës së tyre. Infektimi zakonisht ndodh kur njerëzit thithin grimca të kontaminuara në ajër gjatë pastrimit të hapësirave të mbyllura apo kontaktit me brejtës. Rastet e fundit që ngritën shqetësim në opinion lidhen me variantin “Andes”, i cili është i rrallë pasi mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu në kontakte të afërta.
Buja rreth hantavirusit nisi pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi për një grup rastesh të rënda respiratore në një anije turistike në Atlantikun Jugor. Në të, ndodheshin 147 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi, ndërsa deri më 4 maj u regjistruan disa raste të konfirmuara dhe të dyshuara me hantavirus, përfshirë edhe tre viktima. Rasti tërhoqi vëmendje globale sepse dyshohej se bëhej fjalë për variantin “Andes”, një nga format e rralla të hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu në kontakt të afërt. Ekspertët megjithatë theksuan se ende nuk është konfirmuar nëse personat u infektuan në anije apo para udhëtimit.