Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën për Srebrenicën

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, raporton Radio Evropa e Lirë. Rezoluta kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.

“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha në hapje të debatit ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.

Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.

Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.