Arsovska ndërroi edhe një drejtor, këtë herë në NP Ujësjellësi dhe kanalizime

NP Ujësjellësi dhe kanalizim në periudhën e ardhshme realizon projekte serioze për të cilat nevojitet një mënyrë e re e menaxhimit të ndërmarrjes. Me këtë arsyetim, kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, emëroi ushtruesin e ri të detyrës drejtor i NP Ujësjellës dhe Kanalizime, transmeton Portalb.mk.

Arsovska e zëvendësoi Dragan Ilievskin, i cili para se të bëhej drejtor i NP Ujësjellësi dhe kanalizime ishte ushtrues detyre drejtor i Kopshtit Zoologjik Shkup. Me ndërrimin e ri drejtor i ndërmarrjes publike u emërua Viktor Pançevski.

“Pançevski vjen në pozitë si profesionist nga ndërmarrja publike Parqe dhe gjelbërim, me një biografi të fortë që mund të kontribuojë dukshëm në avancimin e punës së ndërmarrjes publike”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Arsovska prej ardhjes së saj në këtë pozitë ka emëruar dhe zëvendësuar më shumë se 35 drejtorë të ndërmarrjeve nën juridiksionin e Qytetit të Shkupit.