Arsovska e riktheu në Shkup përmendoren e figurës kontroverse Qoseto

Përmendorja e Andon Lazov-Qosetos u vendos mbrëmë në rrethrrotullimin e hotelit Continental në Shkup. Kryetarja aktuale e kryeqytetit njoftoi në Facebook se vendosja e përmendores “në nder të revolucionarit maqedonas Andon Lazov Janev-Qoseto është një njohje e shpirtit të tij të palodhur” dhe vetëmohimit në luftën për një Maqedoni të lirë dhe të pavarur, transmeton Portalb.mk.

“Andon Lazov-Qoseto, i njohur për shpirtin e tij luftarak dhe sfidën, është një simbol i historisë maqedonase dhe një nga pjesëmarrësit e shquar në Kryengritjen e Ilindenit. Roli i tij në lëvizjen revolucionare është me rëndësi të paçmuar për lirinë dhe pavarësinë e sotme të vendit tonë”, deklaron Arsovska në postim.

Qyteti i Shkupit njoftoi gjithashtu kthimin e monumentit të Qosetos në një deklaratë të shkurtër këtë mëngjes. Njoftimi citon postimin e Arsovskës në Facebook, pa detaje se ku dhe kur saktësisht u vendos monumenti.

Monumenti i Andon Lazov-Qosetos ishte vendosur paraprakisht në kompleksin e Gjykatave në vitin 2014, kur Koce Trajanovski ishte kryetar i Qytetit të Shkupit.

Petre Shilegov e hoqi atë në vitin 2018, duke deklaruar se ishte ndërtim i paligjshëm.

Shilegov tha më pas se inspektorati i ndërtimit i Komunës Qendër kishte inspektuar situatën aktuale dhe kishte përcaktuar se investitori, Qyteti i Shkupit, nuk kishte vendim për ta vendosur këtë monument. Pasi u hoq, monumenti u dërgua në një depo në “Metalski zavod-Tito” në Shkup.

Qoseto është një nga pesë monumentet që Qyteti i Shkupit mori si donacion nga Shoqata për Unitetin Shpirtëror të Setincëve, Popadincëve dhe Krushoradi nga Lerini.

Kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, iniciativën në Këshillin e Qytetit të Shkupit për rikthimin e përmendores e dorëzoi në gusht të vitit 2023.  

Ky bust u vendos mbrëmjen mes 6 dhe 7 shtator të vitit 2014 përpara Gjykatës Supreme të Shkupit, si pjesë e projektit “Shkupi 2014” dhe si donacion i shoqatës për bashkim shpirtëror të Stinëve, Popadinëve dhe Krushoradëve nga Lerini, për tu larguar më pas mbrëmjen e 21 shkurtit të vitit 2018, ku u dërgua në depot e Fabrikës së Metalit Tito. Largimi i këtij busti u bë me urdhër të Qytetit të Shkupit.

Bëhet fjalë për personalitet kontrovers historik i cili ka shkaktuar shumë reagime në opinion, Qosja është i njohur si likuidues i VMRO-së. Ai konsiderohet ndër terroristët më të njohur të VMRO-së. Se sa njerëz ka vrarë është vështirë të thuhet. Duke u bazuar në atë se çfarë ai thotë në kujtimet e tij bëhet fjalë për më shumë se dhjetëra të vrarë. Ka jetuar 100 vjet dhe po aq ka vrarë.

Grupi i atëhershëm punues i Ministrisë së Kulturës, paraprakisht konstatoi një sërë shkljesh ligjore gjatë vendosjes së këtij busti, në mesin e të cilëve ishte edhe ligji për vendosjen e përkujtimoreve. Prokuroria Speciale Publike hapi hetim për bustet të cilat u vendosën si donacion nga shoqata, e cila ka donuar përmendoren e Qoses.