Arsimi i lartë vlon nga korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, por asnjë student ende nuk ka bërë denoncim
Ndarja e pabarabartë e shtretërve për studentët, ndarja e pabarabartë e bursave studentore, blerja e pyetjeve të provimeve, përdorimi i plagjiaturave, blerja e librave për të kaluar provimin, apo për të marrë një notë më të lartë. Kjo ndodh në Universitetin “Shën Kiril dhe Metodi”, tha Teodora Stolevska, drejtoreshë e Forumit Arsimor Rinor, në debatin e sotëm në të cilin u fol për format e korrupsionit në arsimin e lartë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Ngjarja u organizua nga Instituti për Demokraci. Në këtë temë diskutuan studentë, profesorë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, ombudsmani studentor, si dhe kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Biljana Ivanovska.
“Të gjitha hulumtimet tregojnë se të rinjtë do të largohen nga vendi, ndërsa arsyeja kryesore për këtë është se këtu nuk mund të gjejnë një punë adekuate dhe e dyta është shkalla e korrupsionit. Ata largohen që pas përfundimit të arsimit të mesëm. Çdo vit 5000 studentë studiojnë në Lubjanë. Në vendin tonë ka një ndarje joadekuate të shtretërve të studentëve, ndarje të pabarabartë të bursave. Akreditimet jepen pa i siguruar të gjitha dokumentet. Dukuria më e shpeshtë e korrupsionit është nepotizmi”, tha Stolevska.
Siç informoi ajo, analizat e bëra nga MOF kanë treguar se 20 përqind e studentëve janë përballur me ryshfet dhe 39 përqind është dashur të blejnë një libër për të kaluar provimin apo për të marrë notë më të lartë.
“Ata kanë deklaruar se nuk do t’i denoncojnë rastet sepse nuk dinë se ku të drejtohen, 89 përqind kanë thënë se nuk dinë se ku t’i denoncojnë. Prandaj duhet të ketë edukim – duhet të ketë trajnime për studentët, për ombudsmanët, promovim të organeve ekzistuese. Duhet të ketë edhe mekanizma për mbrojtje”, shtoi Stolevska.
Nuk ka as edhe një denoncim të vetëm nga studentët të dorëzuar pranë Komisionit Kundër Korrupsionit
Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, tha se sektori i arsimit është trajtuar në Strategjinë e tyre nacionale për korrupsionin dhe konfliktin e interesave, sepse perceptimi i qytetarëve është se në arsimin e lartë ka korrupsion. Ajo iu referua edhe punës së rektorit të UKM-së.
“Kemi denoncime të shumta nga profesorë anonimë. Nuk kemi marrë asnjë nga studentët, ndaj i inkurajoj studentët që t’i denoncojnë rastet. Sa i përket punës së rektorit, konstatuam se funksionimi i tij nuk është në përputhje me ligjin. Sa i përket rizgjedhjes së rektorit gjatë pandemisë, hasëm në derë të mbyllur dhe nuk arritëm t’ia dorëzonim dokumentet. Rektorati u mbyll plotësisht”, tha Ivanovska.
Ajo sqaroi se çështjet e marrëdhënieve të punës duhet të përcaktohen në marrëveshjen që do të lidhet me Senatin.
“Ajo marrëveshje nuk është e unifikuar, por është bërë pikërisht për atë rektor. Për të mos dalë të njëanshëm, kërkuam nga të gjitha universitetet që të na tregojnë se sa janë kompensimet për postin e rektorit. Nëse dikush e kryen funksionin e tij në mënyrë profesionale, për këtë ai duhet të marrë një rrogë, jo kompensim. Rektori i UKM-së merr pagë për 100 përqind orë pune. Ai merr kompensim rektori që është i madh dhe i shfrytëzon të gjitha privilegjet, automjetin zyrtar etj. Kemi denoncime të shumta se atje ka ndikime partiake, se ai fakulteteve të ndryshme u ndan më shumë ose më pak mjete dhe prandaj kemi kërkuar që të bëhet revizion financiar nga Enti shtetëror i Revizionit”, tha Ivanovska në debat.
Profesori i Fakultetit Juridik Gordan Kallajxhiev, i cili është emëruar oficer kundër korrupsionit, tha se profesorët kanë kërkuar shumë më pak njohuri nga studentët për ta kaluar provimin.
“Në shkencat sociale studentët vijnë në provim pas një mësimi dy-tre ditor. Erdhi një studente dhe më tha se kishte mësuar vetëm një ditë, ndërkohë që bëhej fjalë për një provim të madh dhe me shumë gjëra që duheshin mbajtur mend. Korrupsioni me të drejtë theksohet si një problem i madh. Gjërat do të ecnin për mirë me më shumë transparencë, posaçërisht përmes uebfaqes së UKM-së. Studentët tradicionalisht nuk e denoncojnë korrupsionin, ndërsa profesorët paditen, përfolen dhe dorëzojnë denoncime pranë dekanatit. Oficeri duhet të ketë një lidhje më të qëndrueshme me rektorin”, tha ai.
Askush nuk denoncon asgjë as tek ombudsmani studentor
Edhe ombudsmani Viktorija Postollovska tha se deri më tani nuk ka pasur asnjë denoncim për korrupsion. Në vitin 2018 u prezantua instrumenti ombudsmani studentor për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet mes studentëve dhe profesorëve.
“Korrupsioni ekziston, ai është i rrënjosur thellë sepse shoqëria jonë ka tendenca të tilla. Sot UKM-ja ka problem me korrupsionin sepse në UKM nuk flitet për këtë. Studentët nuk besojnë se ne mund ta sfidojmë sistemin shkatërrues të UKM-së”, tha ajo.
Në pyetjen e Meta.mk, për atë nëse janë bërë hulumtime për gjendjen e korrupsionit në universitetet e tjera, drejtoresha e Komisionit kundër korrupsionit, Ivanovska, tha se kanë denoncime nga profesorët për mospërputhshmëri gjatë përzgjedhjes për titujt arsimorë shkencorë.
“Bëhet fjalë për raste në Universitetin “Nënë Tereza”, Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore”, tha ajo.
Në debat u tha edhe se ka rënie të numrit të hulumtimeve shkencore që bëhen dhe se niveli i universiteteve të Maqedonisë në rangimet e huaja është i ulët.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk financon projekte kombëtare hulumtuese shkencore, por i shpërblen rezultatet. Numri i studiuesve ka rënë në 1.6 për 1.000 banorë, që është katër herë më pak se mesatarja e BE-së”, u tha në debat.