RMV, të hiqen reklamat politike të paguara me para nga buxheti, thonë ekspertët

Nga 6,2 milionë euro të ardhura për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në muajin maj të këtij viti, 4 milionë euro ishin para nga buxheti. Pjesa më e madhe e këtyre parave u shpenzua për reklama politike me pagesë të partive/koalicioneve, që do të thotë se ato para janë derdhur tek mediat, ose me to janë marrë me qira billborde, e kështu me radhë. Urgjentisht duhen bërë ndryshime në Kodin zgjedhor ose të miratohet një ligj i ri me të cilin do të ndërpriten reklamat politike me pagesë për zgjedhjet që paguhen nga buxheti i shtetit – diçka që pothuajse nuk ekziston në vendet evropiane, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ishte ky shkurtimisht përfundimi i debatit të djeshëm në të cilin Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHKP) me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) i prezantoi raportet speciale për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024. Në debat morën pjesë përfaqësues nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR), Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA), Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues nga organizatat joqeveritare.

Foto: Meta.mk
Foto: Meta.mk

“Nëntëdhjetë përqind e parave për reklamat politike përfunduan tek partitë të cilat kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Partitë më të vogla me vëllim më të vogël të fondeve kanë shumë pak shanse për t’u prezantuar para elektoratit. Është e nevojshme që të bëhet një rishqyrtim i përqindjes së pjesëmarrjes në fushatën zgjedhore, që të gjithë të mund t’i prezantojnë programet e tyre para votuesve. Ky lloj financimi me mjete nga buxheti i shtetit duhet të ndërpritet dhe ne do të insistojmë për këtë, sepse përqindja që ndahet nga arka e shtetit nga viti në vit rritet”, tha Cveta Ristovska, anëtare e KSHPK-së.

I po këtij mendimi është edhe kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, i cili thotë se edhe nëse mbetet zgjidhja ekzistuese që shteti t’u japë para partive për zgjedhje, kontrollin duhet ta marrë Ministria e Financave.

“Çështja sigurisht që do të diskutohet në grupin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Besoj se edhe nëse mbetet zgjidhja ekzistuese, atëherë me paratë duhet të disponojë Ministria e Financave, t’ua japë partive apo mediave. Ky nuk duhet të jetë roli i KSHZ-së apo KSHPK-së. Çfarëdo që të vendoset, shteti përmes institucioneve të tij duhet ta ketë kontrollin mbi shpenzimin e parave të shtetit”, tha Kondarko.

“Nga KSHZ-ja vazhdimisht po largohen njerëzit. Ne nuk mund të jemi në shërbim të asnjë partie gjatë zgjedhjeve dhe nuk kemi pse të ndërhyjmë në pjesën e partive dhe mediave. Ne duhet të kujdesemi për zbatimin e zgjedhjeve”.

Drejtori i ASHMAA, Zoran Trajçevski, tha se në zgjedhjet e fundit është thyer rekordi – me 850 orë reklama politike me pagesë për zgjedhjet presidenciale dhe 567 orë për zgjedhjet parlamentare.

“Ja, këtë po na e bën financimi shtetëror dhe nëse vazhdon kështu do të kemi një rekord të ri. Ndërsa praktikisht në realitet dhe në praktikë u pa se koha e shpenzuar për reklama nuk luan rol se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve. Prandaj, ASHMAA është kundër reklamave politike të paguara nga shteti dhe përveç kësaj ne besojmë se është i nevojshëm edhe rregullimi i portaleve online dhe reklamave në rrjetet sociale”, tha Trajçevski.

Sipas Raportit të Posaçëm të KSHPK-së për zgjedhjet parlamentare si burim shqetësues kryesor është theksuar mundësia e financimit të partive me donacione nga llogaria e rregullt, e cila e tejkalon kufirin e parashikuar në Kodin Zgjedhor. Pastaj thuhet se forma e raporteve financiare të pjesëmarrësve në fushatë është e vëllimshme dhe komplekse, por përsëri nuk jep një pasqyrë të qartë dhe të saktë për shpenzimin e parave.

“Një rast tjetër janë portalet, ku mënyra e pagesës nuk është aspak e rregulluar. Të dhënat që i kemi për shumat janë një fushë në të cilën KSHPK-ja ka një siguri të arsyeshme për mjetet e shpenzuara dhe nuk ka kontroll mbi mënyrën e shpenzimit të tyre”, tha Ristovska nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Aleksandar Popovski, sekretar i përgjithshëm i Entit Shtetëror për Revizion, deklaroi se të gjithë pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore janë subjekt i revizionit. Në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë gati raporti përfundimtar i revizionit për atë nëse dhe sa janë shpenzuar në mënyrë të arsyeshme paratë për zgjedhjet.

Kërkesa për heqjen e reklamave politike është bërë në vazhdimësi, mirëpo ka hasur në vesh të shurdhër. Në hulumtimin e Qendrës për Menaxhimin e Ndryshimeve (QMN) thuhet se Kodi Zgjedhor është një nga ato në të cilat Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i jepet e drejta diskrecionale për të paguar paratë buxhetore për reklama politike të paguara pa kritere të qarta ligjore, vetëm në bazë të një raporti nga përdoruesi dhe KSHZ paguan shpenzimet e reklamave politike të publikuara me pagesë në bazë të faturës së dorëzuar nga transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) brenda 30 ditëve nga publikimi i rezultateve përfundimtare.

Nga QMN thonë se praktika tregon se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk zbaton asnjë procedurë dhe nuk merr vendime veçanërisht të arsyetuara për pranimin dhe pagesën e shpenzimeve të reklamave politike të publikuara me pagesë, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative.

Kodi Zgjedhor lejon që mjetet buxhetore të jepen për reklama politike me pagesë në portalet e internetit, të cilat nuk janë të rregulluara si media me legjislacionin sistemik, pra me Ligjin për Media. Kjo do të thotë se paratë buxhetore mund t’u ndahen “subjekteve” që nuk i kanë regjistruar aktivitetet e tyre mediatike në Regjistrin Qendror, për faktin se portalet nuk janë formë e medias e rregulluar me Ligjin për Media.

Fushatat e partive politike i paguajnë qytetarët, gjegjësisht financohen me paratë e buxhetit shtetëror. Modeli i këtillë i reklamimit të paguar politik i favorizon katër partitë më të mëdha, gjegjësisht ata marrin më shumë para.

Ligji parashikon nga 45% nga shuma e fituar të marrin dy partitë në pushtet dhe dy partitë më të mëdha opozitare, 7% do të shkojnë te partitë që në zgjedhjet paraprake kanë fituar ndonjë deputet, megjithatë nuk kanë mjaftueshëm përfaqësues për grup të deputetëve, ndërkaq vetëm 3% parashihen për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.