Armir Çeliku: Për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, të dhënat duhet të jenë publike dhe të digjitalizuara

Për të krijuar produkte të inteligjencës artificiale, duhet të kesh qasje në baza të të dhënave dhe institucionet të dhënat me karakter publik duhet t’i kenë të digjitalizuara dhe të qasshme në ueb-faqet e tyre, tha developer i Inteligjencës Artificiale, Armir Çeliku në intervistë me Portalb.mk.

Për temën e inteligjencës artificiale, Portalb.mk bisedoi me developer-in e Inteligjenës Artificiale, Armir Çeliku i cili së fundmi ka krijuar disa chatbot-e për informim sa më të lehtë në çështje të cilat janë në interes të qytetarëve.

Armiri është nga qyteti i Kërçovës dhe ka studiuar Shkenca Politike, por në tre vitet e fundit ai i është kushtuar inteligjencës artificiale dhe Shkencës së të dhënave. Ai në fillim të vitit 2023 ka fituar një bursë nga institucioni gjerman “Goethe Institute” dhe së bashku me grupin e tij të quajtur “Ai4Good” kanë fituar vendin e parë në një hakaton me chatbot-in e tyre të quajtur “Sakhi”.

Portalb: Armir, na trego pak kush je, nga vjen dhe me çka merresh?

Armir Çeliku: Unë jam Armir Çeliku, nga Kërçova, i trajnuar në Shkencat Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Ekonomi, por tre vitet e fundit merrem me Shkencën e të dhënave dhe Analitikën e të dhënave. Kohët e fundit kam marrë një bursë të sponzoruar nga “Goethe Institut”, i cili është gjerman. Dhe bashkë me ekipin tonë, i cili është “Ai4Good” kemi krijuar një produkt të quajtur “Sakhi” me të cilin kemi fituar.

Portalb: Ju keni studiuar Shkencat Politike dhe pastaj jeni marrë me Marrëdhënie Ndërkombëtare. Çka ju ka shtyrë juve që të ndërroni profesion , domethënë prej Shkencave Politike dhe të merreni me Inteligjencë Artificiale?

Armir Çeliku: E para punës, domethënë inteligjenca artificiale çdoherë më ka tërhequr edhe para se të bëhet e mundshme puna në të. Atëherë kur ishte pak a shumë fanta-shkencë, por së dyti me hapjen e shumë mundësive nga inteligjenca artificiale, sidomos vitet e fundit vendosa që avash të filloj me analitiken e të dhënave dhe mbas asaj duke marrë pjesë në fellowship pata më shumë qasje në punët më teknike, falë edhe disa pjesëtarëve të grupit. Pasi krijuam grupin vendosa që edhe vetë të filloj të merrem me gjëra më teknike, të cilat bëjnë pjesë në shkencën e të dhënave.

Portalb: E përmendët Goethe Institutin, që është një institut gjerman, si erdhët ju në kontakt me ta? A mundet të na tregosh pak se çka është ky institut?

Armir Çeliku: Ky është një institut ose organizatë joqeveritare, e Gjermanisë, shumica prej nesh mund ta njohim më shumë për shkak të kurseve dhe certifikimeve të cilat japin në gjuhën gjermane. Deri diku janë të, domethënë fondet i marrin nga zyra e jashtme e Gjermanisë, kurse sivjet ata siç bëjnë çdo vit krijojnë disa burse, disa bursa për tema më të modë. Domethënë më përpara kanë pasur lidhje me Block Chain, kanë pasur tema të ndryshme, kurse sivjet në modë ka qenë shkenca e të dhënave dhe si pasojë e kësaj ishte një bursë në lidhje me etikën dhe inkluzivitetin e shkencave të të dhënave.

Unë me këtë rashë në kontakt, diku nga fillimi i vitit nëpërmjet të reklamave të cilat më dilnin në mediat sociale dhe meqë aplikova edhe në shumë konkurse të tjera, në bursa dhe gjëra të tjera, vendosa që të aplikoj edhe në të. Dhe kështu filloj aplikimi.

Portalb: Ju ishit personi i vetëm nga Maqedonia e Veriut, i cili arriti të mbërrij deri në finalen e këtij dhe krijuat një produkt. A mund të tregosh diçka për grupin tuaj dhe për produktin që e krijuat në fund me që edhe fituat?

Armir Çeliku: Dy muajt e parë të bursës kemi mbajtur ligjërata të ndryshme, me tema të ndryshme me profesionistë të fushës. Gjatë këtyre dy muajve unë e vura si qëllim që të njoftoj dhe të hy në bisedime me sa më shumë nga pjesëtarët e tjerë, të kësaj shoqërie dhe gati çdo javë kisha dy-tre takime nga gjysmë ore në Skype ose në Zoom. Dhe nëpërmjet këtyre takimeve krijova disa shoqëri për shembull me pjesëtarët e grupit siç është Swapneel Mehta dhe Sadhli Roomy. Në fund, kur erdhi fundi i dy muajve duhej të krijojmë skuadra me të cilat do të merrnim pjesë në një hakaton dhe ky hakaton domethënë duhej të bëhej me skuadra dhe duhej të zgjidhet një temë. Ne temën akoma nuk e kishim zgjedhur por ngaqë kishim kimi të mirë bashkë, na shkonte muhabeti dhe kishim prapavija të ndryshme.

Portalb: Produkti juaj ishte një chatbot i inteligjencës artificiale, na trego diçka për chabotin, cili është funksioni i tij dhe a mendoni se mund të krijoni një chatbot të tillë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut?

Armir Çeliku: Teknikisht produkti është një chabtot, është një model i madh i gjuhës, pra Large Language Model në anglisht, i cili ka marrë të dhëna të caktuara. Ky chatbot do të përdoret në Bangladesh dhe e ka emrin “Sakhi”. Në Bangladesh ekziston hendek informate mes vajzave dhe grave dhe resurseve dhe higjienën menstrual. 40 përqind të vajzave dhe grave atje, çdo muaj humbin afër tre ditë shkolle për shkak të menstruacioneve. Ekziston një barrierë në informim. Në të njëjtën kohë ka organizata joqeveritare, të cilat ju ofrojnë popullatës qasje në ujë dhe në produkte të cilat mund të përdoren për higjienë të përgjithshme. Një organizatë e tillë është Water Aid që jep resurset e nevojshme. Prandaj ne e krijuam chatbot-in që t’i mundësojmë Water Aid-it të shpërndajë informata me më efikasitet dhe resurse për këtë popullatë

Portalb: Ky chatbot do të ju ndihmojë shumë grave në Bangladesh dhe do të ndihmojë që ata të arsimohen dhe që të mos humbasin ditë shkolle. Meqenëse jemi te projektet a keni menduar për të krijuar një projekt të tillë në Maqedoninë e Veriut, në fakt a jeni duke krijuar diçka të tillë?

Armir Çeliku: Kemi menduar si mund të aplikohet struktura më e gjerë e kësaj teknologjie, jo për këtë temë po për tema të cilat mund të jenë më relevante në shoqërinë tonë. Gjatë muajve të fundit, unë dhe kolegu im nga Shqipëria, Klej Aliaj, kemi punuar shumë që këtë teknologji të chabote-ve me të dhëna lokale, me të dhëna nga vetë individi apo organizata ta sjellim në tregun tonë dhe ta sjellim me çmim sa më të ulët që t’ua mundësojmë jo vetëm bizneseve por edhe organizatave joqeveritare apo organizatave shtetërore që ta fusin në punë, se në qoftë se çmimi është shumë i lartë atëherë nuk ka kuptim ekonomik për tu bërë kjo dhe falë zotit gjatë provave të fundit kemi pasur goxha sukses e kemi krijuar shabllonin teknologjik mbi të cilën mund të krijojmë projekte në të ardhmen dhe kohën e fundit kemi punuar mbi ueb faqen tonë që të mund t’ua shtjellojmë klientëve dhe bashkëpunëtorëve të ndryshëm idenë tonë se si mundet të përdoret në sfera të ndryshme.

Portalb: Domethënë kjo është një formë e inteligjencës artificiale, duke krijuar një ueb faqe të quajtur Verbal, ashtu? Gjithashtu ju e keni krijuar në kuadër të këtij projekti e keni krijuar Medchat, i cili është një chatbot. A mund të na tregoni pak për këtë?

Armir Çeliku: Kompania me të cilën po punojmë unë dhe kolegu im quhet Verbal, një ndër produket e para të cilat kemi krijuar është Medchat. Për ta shpjeguar si erdhëm deri te ky produkt, duhet të kuptohet që vështirësitë më të mëdha për të krijuar një chatbot të suksesshëm, përveç infrastrukturës dhe teknikës për ta zbatuar atë kanë të bëjnë edhe informatat e hapura. Në qoftë se nuk i ke informatat ose këto informata kanë një kosto shumë të lartë apo kërkojnë leje të ndryshme për tu përdorur ka ide shumë të mira të cilat nuk mund të zbatohen, ide që mund ta ndryshojnë botën po në princip ngelin vetëm utopi sepse ka shumë pengesa, mirëpo duke parë se për shembull te medikamentet ka informatë të kualitetit shumë të lartë edhe të lira, mund të përdoren lirshëm nga popullata, prapa pakos të medikamenteve ka shumë informata të gjera të cilat një njeri mund ti ketë të vështira për t’i lexuar për të gjetur një informatë të caktuar. Si pasojë e kësaj ne vendosëm të marrim të dhëna nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të Amerikës mbi tërë bazën e të dhënave të ilaçeve që kanë ata dhe këto informata t’i fusim në një sistem chatbot-i, mbi të cilën një individ mund të pyes pyetje të ndryshme mbi informatat që gjenden në recetën që gjendet prapa medikamenteve.

Portalb: Përmendët disa pengesa për shembull për të dhënat e hapura, domethënë se digjitalizimi është hapi i ardhshëm që duhet një vend për ta bërë që të kemi ne një zhvillim në këto sfera dhe cilat janë ato vështirësi që ju i keni kur kërkoni të dhëna?

Armir Çeliku: Ka vështirësi të ndryshme, shpesh herë domethënë duhet të kesh qasje në bazën e të dhënave. Siç e dimë edhe në shkencë, kur flasim për shkencë, shkenca duhet të jetë e lirë dhe duhet të jetë e hapur. Kur vjen puna për të pasur qasje në disa baza të të dhënave të ndryshme, punime shkencore, duhet të paguhet ose duhet të kesh qasje nëpërmjet të universitetit në të cilin studion. Edhe domethënë në një fushë e cila në princip duhet të jetë e lirë dhe pastaj kur flasim për të dhëna të cilat mund të kenë vlerë, të dhëna të mbledhura nga institucione private ato kanë një çmim të caktuar. Kur flasim për të dhëna të mbledhura nga institucione shtetërore, disa nga ato të dhëna mund të mos jenë publike ose mund të jenë publike në letër por kur hyn në ueb faqe as që nuk ekzistojnë siç mbase ndodh edhe te ne.

Portalb: A keni ndonjë porosi për të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë një interes për inteligjencën artificiale mirëpo nuk e din se ku të drejtohen dhe ku të kërkojnë bursa të ngjashme si e juaja?

Armir Çeliku: Po në fakt kam sepse vetë në fillim kam qenë, domethënë më kanë munguar informatat se si mund të filloj, si mund të kyçem, domethënë është një drejtim aq i gjerë saqë është e vështirë të kapesh për një cepi edhe të nisesh punën. Domethënë së pari do ju sugjeroja disa kurse, ndërsa më vonë do ju sugjeroja të njëjtin sugjerim që ju dhashë atyre që kanë trajnim teknik që është që të luajnë sa më shumë. Të mos tremben nga jo aksesibilieti i tërë kësaj shkence, por thjeshtë ta shohin si një lojë që të futen dhe të shohin se deri ku mund të arrijnë. 90 përqind e punës që kam bërë unë ka qenë debugging, domethënë ke një ide dëshiron ta kryesh, kush janë opsionet për ta kryer dhe pasi fillon me njërin nga këto opsione normal që nuk do të funksionojë që në fillim, do kesh shumë probleme, por çdo problem është i anash kalueshëm me mjaft bindje dhe mjaft punë, nuk është e pamundur.

Bisedën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.