ARM-ja do të pajiset me tetë helikopterë të prodhuesit italian “Leonardo Helicopters” për 230 milionë euro

Ministria e Mbrojtjes, për nevojat e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të blejë tetë helikopterë nga prodhuesi italian “Leonardo Helicopters”, për të cilët do të paguajë 230 milionë euro. Pagesa do të bëhet në katër këste, ndërsa i pari do të paguhet këtë vit dhe është në vlerë prej 16 për qind nga vlera e përgjithshme e blerjes, informoi në konferencën e sotme ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, transmeton Portalb.mk.

Zgjedhja, siç tregoi ajo, është bërë në përputhje me planin afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse 2023-2032 dhe planet e Ushtrisë për rinovimin e komponentit të aviacionit.

Petrovska thekson se procedura për përzgjedhjen e kompanisë ka filluar pas shpalljes së publikuar në vitin 2019, për të cilën është formuar ekipi i integruar i projektit i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës. Është realizuar një fazë e hulumtimit të tregut, për të cilën janë realizuar takime të shumta pune dhe vizita në kompanitë kandidate për prokurimin e helikopterëve të rinj, në kuadër të së cilës janë kryer fluturime demonstruese me helikopterët e rinj potencialë.

Pas grumbullimit të të gjitha të dhënave, u krye një analizë gjithëpërfshirëse dhe objektive e platformave të ofruara përmes matricave të ndryshme analitike. Kriteret sipas të cilave janë kryer analizat, siç u theksua në konferencë, ishin në lidhje me çmimin e prokurimit, mirëmbajtjen teknike dhe mbështetjen teknike, disponueshmërinë e pjesëve rezervë, jetëgjatësinë e avionit dhe modularitetin dhe ndërveprueshmërinë e tyre me anëtarët e NATO-s.

“Gjatë fazës së hulumtimit të tregut dhe krahasimit të alternativave, ekipi i integruar i projektit vendosi të rekomandojë blerjen e helikopterëve nga kompania “Leonardo Helicopters”, tha Petrovska.

Ajo thekson se paketa e prokurimit përfshin trajnimin e pilotëve dhe stafit teknik, si dhe disponueshmërinë e simulatorëve për stërvitje dhe do të sigurohet një hangar për të vendosur helikopterët e rinj.

Katër oferta mbërritën në konkursin e përzgjedhjes së kompanisë. Krahas “Leonardo Helicopters” ka pasur edhe oferta nga një konsorcium gjermano-francez, një kompani nga SHBA dhe nga Kanadaja.

Helikopteri i parë do të mbërrijë në gjysmën e dytë të vitit 2026 dhe të gjitha dërgesat do të përfundojnë deri në vitin 2028.

Kontrata për blerjen e helikopterëve do të lidhet nesër, ndërsa në emër të qeverive të të dy vendeve do të nënshkruhet nga ministrja Petrovska dhe ambasadori i Italisë. Deri në fund të këtij muaji do të nënshkruhet kontrata me kompaninë “Leonardo Helicopters”.