Arlinda dhe Suzana u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor

Profesoresha inordinare Arlinda Kadri Shahinoviq dhe avokatja Suzana Joshevska-Anastasovska sot u zgjodhën anëtare të Këshillit Gjyqësor, raporton MIA.

Deputetët në Kuvend në seancën e sotme votuan për dy propozimet e kryetares Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në shpjegimin e saj theksoi se gjatë përzgjedhjes së kandidatëve është udhëhequr nga profesionalizmi, kompetenca, si dhe kredibilitetit profesional dhe personal.

Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se reformat në gjyqësor duhet të udhëhiqen nga personalitete të cilat janë të njohura në sferën e tyre të veprimit.

Siljanovska-Davkova theksoi se dy kandidatët nuk i propozoi sepse janë gra, por kryesisht për shkak të profesionalizmit dhe kompetencës së tyre. Sipas saj, rekrutimi i njerëzve të përkushtuar ndaj drejtësisë, profesionistë dhe kompetentë në këtë fushë, do të kontribuojë në vendosjen e kritereve të njëjta edhe gjatë përzgjedhjes së gjykatësve, rritjen e përgjegjësisë së tyre, si dhe marrjen e raporteve të argumentuara nga Këshilli Gjyqësor me propozime specifike për tejkalimin e problemeve në gjyqësor, që do të nënkuptojë një hap përpara në reforma.

Më 29 dhjetor, Parlamenti miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor me 73 vota “pro” dhe 1 “abstenim”. Ky ligj vendos bazat për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Kujtojmë se ligji në fjalë është pjesë e Agjendës reformuese, që kishin afat miratimi deri në qershor, por që vendi nuk arriti ta përmbushë në kohë.

Kujtojmë se një javë pasi hyri në procedurë parlamentare, Projektligji për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të kapërcejë dobësitë e zgjidhjes paraprake ligjore bazuar në rekomandimet e Misionit të Vlerësimit të BE-së, iu dorëzua Komisionit Evropian për mendim. Nuk dihet nëse vendi ka pritur përgjigjen e Komisionit, apo jo, kjo nuk është bërë e ditur nga institucionet përkatëse.