Arlind Farizi futet në dhjetëshen e shkrimtarëve që janë më afër Çmimit ‘’Kadare ‘’

Çmimi Kadare jepet nga Shtëpia Botuese ‘‘UET PRESS’’ nga Tirana që nga viti 2014. Deri më sot, në prozë Maqedonia e Veriut ka një fituese Nurie Emurllaun, kurse Arlind Farizi ka hyrë në rrethin e ngushtë të dhjetëshes nga gjithsej 32 kandidatë sa ishin pranuar në këtë lloj gare, njofton Portalb.mk

Është shpallur dhe lista me dhjetëshen finale të Çmimit Kadare 2024 pasi u bë edhe përzgjedhja nga emrat: Josif Papagjoni, Odise Plaku, Ylli Pango apo Rajmonda Belli Gjençaj, Luljeta Dano, nga Maqedonia, gjegjësisht Gostivari: Shazim Mehmeti, po ashtu Osman Goranci nga Prizreni e Biser Mehmeti nga Presheva, Kujtim Lapa, Dionis Prifti, Klidi Apostoli, Hygerta Istrefi, Afroviti Ilo Miçalliu e Eliona Gjergo.

Tridhjetë e dy autorë kanë dorëzuar sinopset dhe dorëshkrimet e tyre gjatë një muaji, 15 dhjetor 2023 – 15 janar 2024. Juria e këtij edicioni, e përbërë nga Nasi Lera, në rolin e kryetarit, Gazmend Krasniqi, Armand Bora, Ermir Nika dhe Suadela Balliu. Lista me dhjetëshen finale u publikua, ndërkohë në javën e dytë të shkurtit publikohen emrat e 5 finalistëve, për të nxjerrë pastaj veprën më të mirë në prozë të 2024. Emri i fituesit do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e  Humaniteteve”, në javën e fundit të muajit shkurt, në Llogora.

Dy vitet e fundit Çmimi Kadare është rrëmbyer nga autoret gra, Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha” dhe Nurie Emrullai me “Duhet të jetë dashuri”. Më herët këtë çmim e kanë marrë edhe Gani Mehmetaj, Loer Kume, Virgjil Muçi, Musa Ramadani, Shkëlqim Muçi dhe Rudolf Marku.

Çmimi Kadare jepet për prozën më të mirë shqipe, pa kufizime gjeografike, moshe, eksperience apo gjinie.

Juria ka selektuar dhjetë prej tyre, të cilët kanë janë veçuar nga pjesa tjetër për origjinalitetin në narrativën e treguar, skalitjen e karaktereve, apo evidentimin e fenomeneve shoqërore e njerëzore.

10 autorët e përzgjedhur:

Antonio Çikollari – “Tregime” (Tregime)

Arlind Farizi – “Nana e djegur” (Roman)

Dionis Prifti – “Dy javë nën balonë” (Roman)

Granit Zela – “Përmbytja” (Roman)

Grigor Jovani – “Klinika” (Tregime)

Hygerta Istrefi – “Eja më zgjo jetë” (Roman)

Ilir Mborja – “Pianoja e Verdhë” (Tregime)

Klidi Apostoli -“Jetë e dytë e tretë” (Roman)

Luljeta Dano – “Njohja” (Roman)

Ylli Pango – “Të Vegjlit e mi” (Roman)

Çmimi Kadare ka vlerë monetare që kap shifrën prej 10 mijë eurove, ku krahas vlerësimit monetar për fituesin, Instituti Liberal Pashko dhe shtëpia botuese UET PRESS botojnë veprën që vlerësohet si më e mira.