Antidiskriminimi diskuton për shfuqizimin e Balancuesit

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD) javën e ardhshme do të del me qëndrim zyrtar lidhur me shfuqizimin e Balancuesit, raporton Portalb.mk.

Nga Antidiskriminimi për Alsat kanë thënë se janë duke ndërtuar qëndrim rreth çështjes së Balancuesit.

“Në fillim të javës se ardhshme qëndrimi zyrtar i Komisionit rreth balancuesit do të shpallet publikisht”, kanë thënë nga KPMD-ja.

Shfuqizimi i Balancuesit ka ngritur reagime të shumta në opinion.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka thënë se Balancuesi është dashur të shfuqizohet që moti.

Fronti Evropian e ka konsideruar si vendim të motivuar politikisht dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, ku sipas tyre është goditur stabiliteti multietnik në vend. Megjithatë, gjatë qeverisë së kaluar të përbërë nga BDI dhe LSDM është miratuar Strategjia e Reformës së Administatës Publike, ku mes tjerash shkruan se është tejkaluar nevoja për të aplikuar “Balancuesin”, i cili në praktikë shkakton keqpërdorime të shumta,

Koalicioni VLEN nga ana tjetër është shprehur se këtë çështje do ta rregullojnë përmes Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin thonë se e kanë gati, mirëpo ky ligj ende nuk është prezantuar para opinionit.

Ndërkaq për këtë ka reaguar edhe Delegacioni i BE-së në vend. Ata kanë theksuar rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm të Marrëveshjes kornizë të Ohrit e cila kërkon respektim të plotë të parimit të mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, veçanërisht në administratën publike. Ata kanë theksuar se presin të shohin propozimet e qeverisë për të reformuar sistemin dhe për të zëvendësuar Balancuesin.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit Balancues, i cili deri tani ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk do të mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse me të bëhen abuzime gjatë punësimit.