Andonovski: Maqedonia e Veriut po ndërton infrastrukturë gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në punëtorinë dyditore në kuadër të projektit “Siguria kibernetike rajonale në Ballkanin Perëndimor – intervenimet për Republikën e Maqedonisë”, paralajmëroi plane ambicioze për forcimin e sigurisë kibernetike në vend, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën e tij, ministri Andonovski theksoi sfidat me të cilat përballet vendi dhe theksoi: “Në periudhën e kaluar kemi qenë dëshmitarë të sulmeve të shpeshta kibernetike në infrastrukturën kritike, si në vendin tonë ashtu edhe në rajon. Infrastruktura jonë kritike – sistemet energjetike, furnizimi me ujë, transporti, kujdesi shëndetësor – janë në qendër të funksionimit të vendit tonë. Mbrojtja e tyre është prioriteti ynë kryesor”.

Në fjalën e tij, Andonovski theksoi se Ministria e Transformimit Digjital së fundi ka filluar me hartimin e Strategjisë së re Nacionale për Siguri Kibernetike të Republikës së Maqedonisë për periudhën 2024-2028, si dhe se grupi punues i përbërë nga ekspertë nga fusha të ndryshme është formuar, i cili tashmë ka nisur intensivisht punën për këtë strategji. Kjo strategji do të përafrohet me direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian, përfshirë direktivën NIS 2.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë e njeh rëndësinë kryesore të sigurisë kibernetike për zhvillimin dhe prosperitetin tonë kombëtar. Si Ministri e Transformimit Digjital, ne jemi thellësisht të përkushtuar për të krijuar një infrastrukturë gjithëpërfshirëse të sigurisë kibernetike. Qëllimi ynë nuk është vetëm të reagojmë ndaj kërcënimeve, por edhe në mënyrë proaktive të parashikojmë dhe parandalojmë rreziqet e mundshme”, përfundoi Andonovski.

Punëtoria është pjesë e projektit “Siguria kibernetike rajonale në Ballkanin Perëndimor – ndërhyrje për Republikën e Maqedonisë”, financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim të ngritjes së vetëdijes, ndërtimit të kapaciteteve dhe inkurajimit të ndryshimeve pozitive në aplikimin e sigurinë kibernetike në vend. Projekti do të zgjasë nga gushti 2023 deri në mars 2025.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ishte cak i kërcënimeve të rreme me bomba, por jo vetëm kaq. Nga fundi i vitit 2022 e në vazhdim, sulmet kibernetike kanë ndodhur në faqet e institucioneve shtetërore si: Qeveria e RMV-së, Agjencia për Komunikime Elektronike, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Qeveria, Ministritë e Bujqësisë dhe Arsimit dhe Shkencës, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta.

Maqedonia e Veriut pati dhe paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.  Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.

Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.

Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.