ANALIZË: Inflacion në RMV më i lartë, rritje ekonomike më e ulët – strategji e re fiskale!

Inflacioni do të jetë njëshifror, por më i lartë se vlerësimet e mëparshme për këtë vit. Ekonomia do të mbetet në një zonë pozitive, por me një ritëm rritjeje më të ulët se sa parashikohet aktualisht. Strategjia e re Fiskale 2024-2028 me vlerësime dhe parashikime të reja që mund të jenë “paralajmërim” për rebalancimin e buxhetit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

2023: rritje e PBB-së për 2,5%, inflacioni në nivelin 8,9%

Strategjia e re fiskale i “shkriu” parashikimet për ulje të inflacionit dhe rritje ekonomike më të lartë. Dokumenti i ri që i “rishikon” parashikimet aktuale për ekonominë, sipas ekspertëve, është një prelud i re rebalancimit veror të buxhetit sepse vlerësimet për rritjen ekonomike, lëvizjet e çmimeve, rritjen e rrogave po ndryshojnë.

Konkretisht, Strategjia Fiskale 2024-2028 parashikon rritje ekonomike prej 2,5% për këtë vit, që është më e ulët se përqindja prej 2,9% në projeksionin aktual. Arsyeja qëndron në pritjen për konsum të përmbajtur, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve.

“Në vitin 2023 pritet rritje e mëtejshme e ekonomisë, ndonëse në nivel më të moderuar në krahasim me parashikimin e mëparshëm, si pasojë e pritjeve për rritje më të ulët të konsumit privat se më parë, për shkak të nivelit ende të lartë të inflacionit dhe rritjes së kostove të financimit, ndonëse konsumi do të vazhdojë të jetë një nga burimet kryesore të rritjes” – thuhet në dokumentin e sapo publikuar.

Përqindje më e ulët e rritjes së PBB-së parashikohet edhe për vitin e ardhshëm, në vend të 4,1% që është parashikuar aktualisht, rritja ekonomike parashikohet të jetë 4%.

Infografik nga Portalb.mk për strategjinë fiskale të RMV-së
Infografik nga Portalb.mk për strategjinë fiskale të RMV-së

Sipas Qeverisë, rritja ekonomike e këtij viti do të mbështetet edhe në projektin për ndërtimin e autostradave nga Korridoret 8 dhe 10. Përqindja e rritjes së investimeve bruto është pozicionuar në 5,2%

“Rritja reale e investimeve bruto parashikohet në 5,1% në vitin 2023, ndërsa në periudhën 2024-2028 investimet pritet të shënojnë një rritje mesatare vjetore prej 8,4% si rezultat i investimeve të paralajmëruara nga disa kompani ndërkombëtare, fluksit më intensiv të investimeve të huaja, rritjes së shpenzimeve kapitale, por edhe mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin e sektorit privat’ – thuhet në Strategjinë Fiskale.

Edhe pse për këtë vit, të gjitha vlerësimet tregojnë se inflacioni duhet të “frenohet” në një nivel njëshifror, megjithatë, në raport me vlerësimet aktuale, ai do të jetë më i lartë, në nivelin e ri prej 8,9%.

“Për vitin 2023 ka lëvizje më të theksuara në përqindjen e inflacionit, e cila është rishikuar në rritje për faktin se ka rezultuar më rezistente në krahasim me pritjet e mëparshme dhe megjithëse ka një tendencë rënëse, ai është ende në nivel të larë në tremujorin e parë të vitit. Pritjet për uljen dhe stabilizimin e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë elektrike, si dhe masat e qeverisë për uljen e çmimeve të produkteve bazë do të kontribuojnë në ngadalësimin e përqindjes së inflacionit gjatë vitit” – thuhet në strategji dhe theksohet se projeksionet për periudhën e ardhshme nuk janë ndryshuar.

Infografik nga Portalb.mk për përqindjen e inflacionit në RMV
Infografik nga Portalb.mk për përqindjen e inflacionit në RMV

Vitin e ardhshëm inflacioni duhet të ulet në 2,5% ndërsa në vitet në vijim duhet të stabilizohet në 2%. Këtë vit, sipas vlerësimeve të reja, shkalla e papunësisë do të jetë 14,2%, nivel ky më i lartë se vlerësimi aktual, ndërsa punësimi parashikohet në 47,7%, që është një nivel më i ulët se parashikimi në Strategjinë Fiskale 2023-2027.