ANALIZË: Dita e Kursimit, 51% e depozitave në RMV janë në denarë, bankat “në gjueti” për kursimtarët
Për herë të dytë këtë vit, depozitat e përgjithshme kanë trend negativ. Në fund të tremujorit të tretë u regjistrua një rënie prej 0,2%. Qytetarët dhe sektori i korporatave në banka ruajnë 8,2 miliardë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Me shtrëngimin e politikës monetare, u regjistrua rritje e kamatave për kursimet pas rritjes së kamatave për kreditë. Si është situata me kursimet në vend në prag të 31 Tetorit – Ditës Botërore të Kursimeve?
Në fund të shtatorit, “rënie” e kursimeve…
“Për depozitim me afat prej 13 muajsh, për 30.000 denarë kamata promovuese është 3,5% . Për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtën shumë, kamata në euro është 2,3%”
“Për depozitat në denarë me afat maturimi 3 vjet dhe me shumë minimale prej 2.500 euro kamata është 3,5%”
Këto janë vetëm një pjesë e ofertave të bankave në muajin tetor – muajin e kursimeve. Vërehet se përgjithësisht ofrohen kamata më të larta në krahasim me vitin e kaluar, por tani me theks në kamatat për kursimin në denarë. Përderisa bankierët përpiqen të tërheqin depozita, të dhënat e reja të kursimeve tregojnë se tremujori i tretë i vitit u mbyll me parashenjë negative për kursimet, me një rënie prej 0,2%. Të dhënat krahasuese të BPM-së tregojnë se këtë vit, për herë të dytë, është regjistruar një “shkrirje” e depozitave, në tremujorin e parë për -0,9%, kurse në të dytin rritje prej 1,2%.
Në fund të shtatorit, baza totale e depozitave arriti në pak më shumë se 8,3 miliardë euro. Prej tyre, 2,4 miliardë euro janë para të sektorit të korporatave dhe 5,4 miliardë euro janë depozita të amvisërive.
Totali i depozitave të kursimeve në tremujorin e tretë u zvogëlua për rreth 15 milionë euro dhe kjo rënie u regjistrua te depozitat e sektorit të korporatave, përkatësisht të kompanive. Në fund të tremujorit të tretë, krahasuar me tremujorin e dytë, depozitat e kompanive u zvogëluan për rreth 33,5 milionë euro ose -1,4%, ndërsa trend negativ vërehet edhe te kursimet në denarë dhe në deviza të kompanive.
Depozitat e kursimeve në denarë dhe në deviza…
Te kompanitë dominojnë kursimet në denarë, kurse te amvisëritë dominojnë kursimet në deviza. Analiza krahasuese e “Portalb”-it e bërë në bazë të të dhënave të BPM-së tregon disa tendenca dhe situata interesante.
Kështu, 51% e depozitave të përgjithshme të kursimeve janë në denarë, ndërsa pjesa tjetër prej 49% janë në deviza, me dominim të euros.
Për sa i përket gjendjes valutore në fund të vitit të kaluar, në tremujorin e tretë ka rritje të kursimeve në denarë.
Me shtrëngimin e përsëritur të politikës monetare për të amortizuar inflacionin, gjegjësisht për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit të monedhës vendase, bankat i rritën kamatat për kreditë, gjë që shkaktoi edhe rritje të kamatave për depozitat. Sipas informacioneve të fundit të disponueshme në gusht, kamata mesatare e totalit të depozitave ishte 1,55%, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ishte 0,69%.
Para fillimit të “cunamit inflacioniste”, kamatat e depozitave ranë në një nivel shumë të ulët. Të dhënat tregojnë se nga gushti i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2023, kamata e totalit të kredive ishte nën 1%.