ANALIZË: Administrata: për një vend pune 9 aplikime! (Infografik)

Raporti i fundit vjetor për punën e Agjencisë për Administratë para deputetëve – dokumenti zbulon se në vitin e kaluar institucionet e pushtetit qendror e kanë rritur numrin e shpalljeve publike për punësim, ndërsa sa  i përket numrit të shpalljeve për punësim të administratorëve në nivel lokal ai ka shënuar rënie. Nga kandidatët që i kanë kaluar të gjitha filtrat dhe janë përzgjedhur si administratorë të ardhshëm, 24.5% janë shqiptarë. Në disa analiza të njëpasnjëshme “Portalb” do të publikojë të dhëna për punësimet dhe gjendjen në administratë në vitin 2022, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Në vitin 2022 janë publikuar 800 shpallje publike për punësim...

Vitin e kaluar “vizë” për punësim në administratë kanë marrë pothuajse 1.500 persona. Më konkretisht, 1048 persona janë përzgjedhur për punësim në pushtetin qendror dhe 416 në institucione në nivel të pushtetit lokal. Të dhënat e reja të Agjencisë për Punësim tregojnë se sipas përkatësisë etnike pjesa më e madhe ose 66% e kandidatëve për punësim janë maqedonas, pak mbi 23% janë shqiptarë, ndërsa rreth 4% janë turq. Etnitë e tjera janë të përfaqësuara me më pak se 2%.

Infografik për përzgjedhjen e kandidatëve për punësim gjatë vitit 2022, sipas përkatësia etnike)
Infografik për përzgjedhjen e kandidatëve për punësim gjatë vitit 2022, sipas përkatësia etnike)

Kjo do të thotë se vitin e kaluar filtrin për punësim në administratë si nëpunës administrativë, udhëheqës, ekspertë, ndihmës-ekspertë e kanë kaluar 927 maqedonas, 344 shqiptarë, 56 kandidatë turq, 42 romë etj.

Ky është epilogu për vitin buxhetor 2022 në të cilin institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal kanë kërkuar publikimin e pothuajse 900 shpalljeve për punësim, por nga ato janë publikuar 800 për 1.771 vende pune për gjithsej 2.075 administratorë. Numri më i madh i shpalljeve ose 59% kanë qenë me kërkesë të pushtetit qendror, ndërsa 41% të pushtetit lokal.

Infografik për shpallje për punësim 2022
Infografik për shpallje për punësim 2022

Në shpelljet publike për punësim kanë aplikuar rreth 16.300 kandidatë, por të dhënat tregojnë se 60% e aplikimeve të përpunuara nuk kanë qenë në rregull. Ky numër i “kandidatëve” për administratorë të ardhshëm tregon se puna në shërbimin shtetëror vazhdon të mbetet tërheqëse, me ç’rast numri më i madh i kandidatëve, 14.131, kanë dashur të punësohen në pushtetin qendror, ndërsa 2.106 kanë aplikuar për punë në nivel lokal. Megjithatë, pas kalimit nëpër të gjithë filtrat, provimin përfundimtar administrativ e kanë kaluar 2.348 persona. Radhitja përfundimtare e kandidatëve tregon se vitin e kaluar shteti ka “rekrutuar” 1.464 administratorë të rinj në nivel qendror dhe lokal.

Krahasuar me vitin 2021, vitin e kaluar ka shënuar një rritje evidente numri i shpalljeve të publikuara për punësim në nivel qendror, më konkretisht në vitin 2022 ky numër është rritur për 30,3%, ndërkohë që institucionet në nivel lokal kanë publikuar 22,3% më pak shpallje publike. Në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, numri i shpalljeve publike është rritur për 2%.

Por, edhe pse numri i shpalljeve publike ka shënuar rritje, numri i kandidatëve të përzgjedhur ka rënë për 5,85%. Të dhënat e raportit të Agjencisë për Administratën tregojnë se krahasuar me vitin 2021, vitin e kaluar punësimet në nivel qendror kanë shënuar rritje, ndërsa në nivel lokal ka rënie. Më konkretisht në vitin 2022 numri i kandidatëve të përzgjedhur në institucionet e pushtetit qendror ka qenë për 16,4%, ndërsa në institucionet në nivel  lokal ka qenë për 36,5% më i vogël.

Sa i përket përkatësisë etnike, janë përzgjedhur 10,2% më pak maqedonas, 6,2% më shumë shqiptarë, 2,4% më pak turq, 13,5% më shumë romë, 17,8% më pak qernbë, ndërsa 116,6% më shumë boshnjakë.