Ambasadorja gjermane: Maqedonia është pjesë e hapësirës së përbashkët evropiane, duhet të marrë përgjegjësi

Maqedonia e Veriut nuk duhet të mendojë se sfidat evropiane “nuk kanë të bëjnë me të”, duke nënkuptuar se edhe vendi ynë duhet të marrë përgjegjësi, tha ambasadorja gjermane në Maqedoni Petra Dreksler në fjalimin e saj për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë 2025. Ajo kujtoi se Evropa nuk përfundon në kufijtë e BE-së dhe se krizat ekonomike e gjeopolitike nuk ndalen në kufij, prandaj vendet kandidate preken po aq sa anëtarët. Sipas saj, Maqedonia duhet të sillet si pjesë e plotë e hapësirës evropiane dhe të marrë përgjegjësi, jo vetëm të presë anëtarësimin. Ajo shtoi se vetëm përmes angazhimit dhe solidaritetit të përbashkët mund të garantohet siguria dhe stabiliteti në Evropë, transmeton Portalb.mk.

“Si gjermanë e shohim veten me përgjegjësi që të angazhohemi për një Evropë të fortë, pikërisht tani, në kohën e tronditjeve. Dhe këtë duam ta bëjmë krah për krah me partnerin tonë, Maqedoninë e Veriut. Nëse rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është i brishtë, nëse politika e fuqisë zëvendëson sundimin e ligjit dhe nëse varësia ekonomike përdoret si armë, atëherë edhe premtimi evropian për siguri, stabilitet dhe mirëqenie rrezikon të bëhet i brishtë. Disa prej jush mund të jenë duke menduar tani: kjo nuk ka të bëjë me ne, ne nuk jemi anëtarë të BE-së, por „vetëm“ jemi në rrugën drejt saj”, tha Dekseler.

Ky mendim sipas saj nuk është i mjaftueshëm, sepse Evropa nuk përfundon në kufijtë aktualë të BE-së. Turbulencat ekonomike, tensionet gjeopolitike, sfidat e sigurisë, asnjëra prej tyre nuk ndalet në pikat doganore apo pikat kufitare.

“Qoftë një shtet anëtar apo në rrugën për t’u anëtarësuar: ne të gjithë jemi pjesë e një hapësire të përbashkët evropiane që tronditet nga të njëjtat forca. Evropa është një hapësirë ​​e ndërthurur që nuk mund të mendohet si një qendër e vetme. Hapësira jonë e përbashkët evropiane zhvillohet në shumë nyje, të cilat ashtu si yjet, fuqinë e tyre rrezatuese e zhvillojnë në kohë dhe zona të ndryshme”, tha ajo.

Ajo shtoi se në Gjermani, konsiderohet si një mënyrë e mirë që të kërkohet nga ekonomistët të llogarisin se çfarë do të thotë një hap i tillë për ekonominë me shifra konkrete.

“Ne e bëmë pikërisht këtë dhe intervistuam ekspertë ekonomikë gjermanë. Përgjigja e tyre: përfitimet e drejtpërdrejta ekonomike që vijnë nga anëtarësimi në SEPA, nga ulja e tarifave për pagesat ndërkufitare, janë të jashtëzakonshme. Kompanitë dhe personat privatë që transferojnë fonde midis Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera në zonën SEPA do të kursejnë rreth 62 milionë euro në vit. Por sigurisht që kjo nuk ka të bëjë vetëm me numrat. Ne po zgjerojmë hapësirën tonë të përbashkët evropiane të besimit, sigurisë dhe ndjenjës së të qenit pjesë e një tërësie më të madhe. Një hap i madh në rrugën drejt integrimit evropian, i cili Gjermaninë dhe Maqedoninë e Veriut i afron edhe më shumë”, tha Dekseler.

Ambasadorja shtoi se themelet për një Evropë të fortë që përfshijnë edhe Maqedoninë e Veriut janë të pamohueshme. “Varet nga të gjithë ne të përpiqemi së bashku për këtë Evropë të fortë dhe të bashkuar, si ata që tashmë janë anëtarë të Bashkimit Evropian, ashtu edhe ata që kanë nisur rrugën për t’u anëtarësuar”.

“Premtimi evropian për siguri, stabilitet dhe mirëqenie për të gjithë ne mund të zgjasë vetëm nëse vazhdojmë të investojmë në solidaritetin dhe unitetin evropian. Sepse Evropa është më shumë sesa një union. Evropa është një hapësirë e përbashkët fati që duhet ta formësojmë dhe ta mbrojmë së bashku”, tha ambasadorja.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.