Alternativa: Punimet në Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës janë sinonim i korrupsionit të BDI-së

Partia opozitare shqiptare Alternativa, ka akuzuar BDI-në se, projektin për  ndërtimin e Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, e ka shndërruar në strofull të korrupsionit dhe të vjeljes së parave të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Faton Fazliu nga kjo parti, tha sot për mediat se, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, respektivisht objekti i Bibliotekës dhe Teatrit të Tetovës, kishte filluar të ndërtohet që në vitin 2014, por assesi të përfundojë. Së fundmi, nga raportimet e mediave, u kuptua se BDI ka zvarritur këtë projekt për qëllime korruptuese.

“Sipas raportimeve të javores Fokus, gjithsej 36 milionë euro janë ndarë për këtë projekt, ndërsa deri tani janë shpenzuar plot 21,7 milionë euro. Përkundër kësaj, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës nuk është ndërtuar as edhe pas një dekade. Prandaj, këtu ka shumë punë për prokurorinë. Ne e përshëndesim hetimin e nisur nga Prokuroria për Përndjekjen e Krimit të Organizuar, e cila me kallëzim të Policisë Financiare ka filluar hetime për rastin dhe shpresojmë që hetimi të shkojë deri në fund dhe të gjithë ata që janë pasuruar në kurriz të këtij objekti e i lanë tetovarët pa bibliotekë e teatër të denjë për këtë qytet, të nxirren para drejtësisë.  Hetimi duhet të tregojë se cilat kompani morën miliona në këtë projekt dhe çfarë lidhje kanë këto kompani me funksionarët e BDI-së”, deklaroi Fazliu.

Javorja Fokus në dhjetor të vitit të kaluar, publikoi një hulumtim, sipas të cilët objekti është ndërtuar sipas një projekti të ndryshuar, se një mbikëqyrës është angazhuar për një tarifë shumë të ulët, ndërsa në tenderin për fazën e dytë ishin eliminuar kompani të huaja me renome. Marrëveshjet në lidhje me projektin kushtojnë mbi 36 milionë euro, ndërsa deri më tani janë paguar 22 milionë euro jo të plota. Pas publikimit të këtij hulumtimi, prokuroria ka hapur lëndë.

Ndryshe, ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010. Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite. Ndërkaq, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, u tha se ky projekt, nuk do të jetë gati para vitit 2027 kur ky institucion pritet të hapë dyert.