Aliu: Do të formojmë agjenci të digjitalizimit për siguri kibernetike
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, në konferencën e sotme për media informoi se, në periudhë prej një viti, do të përfundojë procesi për formimin e Agjencisë së Digjitalizimit, njëra ndër shtyllat e së cilës do të jetë siguria kibernetike, transmeton Portalb.mk.
“Siguria kibernetike është sfidë për gjithë botën. Sa më shumë që digjitalizohemi, aq më shumë kemi mundësi për t’u ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike. Ideja për Agjenci të Digjitalizimit është ajo, të jetë ombrellë për gjithë shtetin në të cilin përpos infrastrukturës, zgjidhjet softuerike, një ndër shtyllat kryesore të jetë siguria kibernetike. Fatkeqësisht, jemi ende larg këtij realizimi. Pritet që për pesë – gjashtë muaj deri në një vit ta kemi atë agjenci”, tha Aliu.
Sa i përket institucioneve shtetërore të cilat momentalisht janë shënjestër e sulmeve kibernetike, tha se institucionet po bëjnë maksimumin për të qenë të sigurta në këtë periudhë.
“Momentalisht gjendja me institucionet shtetërore është sikur në gjithë botën. Kemi sulme, por po përbalemi në nivel të institucioneve. Kur të kemi institucione të llojit të Agjencisë së Digjitalizimit, do t;i kemi ekspertët më të mirë në një vend dhe më lehtë do të sigurohet ajo qasje e informatave me të cilat janë të lokuara dhe të cilat nuk janë informata që duhet të penetrojnë në vet procesin, tha Aliu.
Kujtojmë se, muajt e fundit institucionet të caktuara shtetërore janë përballur me sulme kibernetike. Ndër sulmet më serioze ka qenë ai muajin shkurt të vitit 2023 ndaj sistemit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, me çka u krijua ndërprerja e pagave për punonjësit e shëndetësisë dhe marrja e ilaçeve. E njëjta u rregullua pas dy javësh.
- LEXO: RMV, Agjencia e Komunikimeve Elektronike nën sulm të hakerëve
- LEXO: Sistemet e FSSH-së dy javë jashtë funksionit nga sulmet kibernetike, drejtoresha: Janë rikthyer në kohë rekord
- LEXO: Fondi i shëndetësisë: U rikthye në funksion sistemi “Sigurimi im”, institucionet shëndetësore dhe barnatoret kanë kontroll në sigurim deri sot