Aktivistët e Partisë Social Demokrate protestuan gjatë vizitës së Trendafilovës në Prishtinë

Gjatë kohës që kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, zhvillonte biseda me shoqërinë civile, aktivistë të PSD-së, protestuan jashtë ambienteve, ku u desh edhe ndërhyrja e policisë, shkruan DW.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, apo si njihet në opinion “Gjykata Speciale”, Ekaterina Trendafilova, qëndroi për një vizitë disa-orëshe në Kosovë. Kjo vizitë u shoqërua me një protestë të organizuar nga Partia Social Demokrate (PSD), gjatë kohës që Trendafilova zhvillonte takim me përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjykata Speciale mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm

Ekaterina Trendafilova, tha se Gjykata Speciale, mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm. “Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penale të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë edhe burgimin e përjetshëm.” – tha Trendafilova.

Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata po mbahen në Hagë tash e dy vjet, ndërkohë që akoma nuk dihet se sa do të zgjasë procesi gjyqësor.

Takimet e të akuzuarve me ekipet mbrojtëse nuk kufizohen

Një javë më parë, Gjykata miratoi një kërkesë të Prokurorisë Speciale në Hagë, që u ndaloi vizitat e familjarëve të të akuzuarve për krime lufte, Thaҫi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Ekaterina Trendafilova tha se është e rëndësishme që takimet e të akuzuarve me ekipet mbrojtëse nuk mund të kufizohen.

“Është thelbësore që takimet me ekipet mbrojtëse nuk mund të kufizohen fare. Është takim i lirë dhe pa asnjë lloj monitorimi. Kjo është marrëdhënia e shenjtë mes klientit dhe mbrojtjes, tha Trendafilova, duke shtuar se “deri më tash gjykatësit e Speciales nuk kanë qenë subjekt i ndonjë ndikimi apo presioni politik”.

“Deri tash nuk ka ndodhur që dikush të guxojë të bëjë presion mbi ndokënd, as mbi mua dhe as mbi kolegët e mi. Kjo u atribuohet institucioneve të Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së, që e kanë themeluar këtë institucion. Kurrë s’ka pasur presion dhe s’do të ketë”, tha Trendafilova.

Takim pa praninë e mediave

Gjatë kohës që kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, zhvillonte një bashkëbisedim me shoqërinë civile në një hotel të Prishtinës, dhe ku nuk u lejuan mediet dhe as filmimi i takimit, partia joparlamentare PSD, zhvilloi një protestë duke hedhur gaz lotsjellës dhe bombola me tym të zi përballë hotelit.

Njësia speciale e policisë ndërhyri dhe arrestoi disa nga aktivistët, përfshirë kryetarin e Partisë PSD, Dardan Molliqaj. Ky subjekt politik, në një reagim, kërkoi që të lirohen aktivistët e saj.

“Metodat frikësuese neve nuk na ndalin. Gjykata është raciste, e padrejtë dhe segreguese. Rezistenca vazhdon. Znj. Trendafilova nuk është e mirëseardhur”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Reagime për vizitën

Reagim pati edhe nga shoqatat e vetaranëve të luftës së UÇK-së, të cilët shprehen habinë e tyre se pse, përfaqësuesit e OVLUÇK, nuk janë ftuar së bashku me shoqërinë civile në takim me kryetarën e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

“Do të ishte mirë që Trendafilova të na ftonte në këtë diskutim me shoqërinë civile së pari OVL-UÇK-në, sepse ne i përfaqësojmë ata atje. Pa marrë parasysh qëndrimin tonë, ajo nuk duhet ta përzgjedhë shoqërinë civile. Në atë diskutim, ne do të shprehnim kritikat e kundërshtimet ndaj  tona ndaj Gjykatës Speciale”, shkroi në facebook, përfaqësuesi i OVLUÇK-së, Faton Klinaku, duke rikujtuar se ndalimi i vizitave të familjarëve të të akuzuarve “është shkelje e të drejtave të njeriut”.

Ndërkaq, më herët këtë muaj prokurorët në gjyqin për krime lufte të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po kërkojnëkufizojnë komunikimet dhe ta mbajnë atë të ndarë nga të burgosurit e tjerë për shkak të shqetësimeve që ai dhe dy të bashkë-akuzuarit po përpiqen të ndikojnë mbi dëshmitarët.