Më 16 nëntor në Bruksel do të takohet kryenegociatori i Kosovës dhe Serbisë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se takimi i ardhshëm mes dy kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet më 16 nëntor në Bruksel, raporton Koha.net. Ai ka thënë se dakordimi i vetëm, është caktimi i këtij takimi.

“Takimi i radhës mbahet të enjten e javës së ardhshme në Bruksel dhe ky është dakordimi i vetëm që kemi arritur, pra që është takimi më 16 nëntor”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka më kompromise në negocim, pasi sipas tij kompromiset kanë përfunduar “dhe jemi në fazën e zbatimit të marrëveshjeve ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotni, pa parakushte dhe pa vonesa dhe për të siguruar që marrëveshjet na dërgojnë drejt normalizimit dhe jo drejt konfliktit”.