Ageler: Reformat në drejtësinë e RMV-së, SHBA-së i kanë kushtuar 500 milionë dollarë
Të dëgjohet zëri i gjyqtarëve dhe prokurorëve në miratimin e ligjeve nga sfera e drejtësisë, për të zgjidhur problemin e mungesës së burimeve dhe stafit, por edhe digjitalizimit të drejtësisë. Këtyre iu referohen rekomandimet që dhanë 60 gjyqtarë dhe prokurorë për përmirësimin e situatës në gjyqësor, në prezantimin e djeshëm të rekomandimeve dhe planit të veprimit për përmirësimin e gjendjes në gjyqësor, financuar nga Ambasada e SHBA-së, organizuar nga koalicioni “Të gjithë për një gjykim i drejtë”, transmeton Portalb.mk.
Ndër to, ofrohen zgjidhje edhe për gjykime më të shpejta dhe lëndë më pak të vjetruara – gjykimet me dy gjyqtarë profesionistë të mbahen vetëm për krimet më të rënda, ndërsa këshillat të përbëhen nga një gjyqtar dhe dy juristë, për të ndryshuar mënyrën e paraqitjes së provave, por edhe akuza e gjykime më të shkurtra e më të qarta.
Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, tha se është e palejueshme që të bëhen ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me gjyqësorin pa kërkuar mendimin e tyre, siç ishte rasti me Kodin Penal. Por edhe që pavarësia e gjyqësorit mbrohet duke siguruar pavarësinë e tij financiare
Ambasadorja Angela Ageler argumentoi se ndërkohë që shpesh është e vërtetë se biseda është e lirë, tre dekada të ndihmës së SHBA për bisedat për reforma dhe trajnimin për sundimin e ligjit u kushtuan taksapaguesve amerikanë 500 milionë dollarë.
“Thuhet se të flasësh është pa para, dhe zakonisht kjo është e vërtetë. Por tri dekada të angazhimit dhe asistencës amerikane të të folurit për reformat në sundimin e ligjit, për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe për një bashkëpunim më të madh mes gjyqësorit, shoqërisë civile dhe qytetarëve dhe zyrtarëve në këtë vend? Kjo nuk ka qenë pa para. Na ka kushtuar afërsisht gjysmë miliard dollarë të taksapaguesve”, tha Ageler.
Ajo shtoi se gjyqtarët, prokurorët, ministrat, anëtarët e parlamentit dhe drejtuesit e shoqërisë civile, madje edhe diplomatët duhet t’i kenë parasysh rekomandimet dhe më pas të punojnë së bashku për të krijuar një reformë të vërtetë gjyqësore,
Darko Avramovski, nga Koalicioni Për gjykim të drejtë, njoftoi se ky dokument do të përdoret për proceset e ardhshme të ristrukturimit dhe paralajmëroi se rekomandimet do t’i dorëzohen institucioneve kompetente.
“Të ofrohen rekomandime nga ana e tyre që kanë të bëjnë me pushtetin ekzekutiv, ligjvënës, por edhe pushtetin gjyqësor, me qëllim që të përparohet efikasiteti dhe shpejtësia e procedimeve penale dhe mbi të gjitha sundimi i së drejtës… megjithatë, veçanërisht ato procedura penale që edhe opinioni më shpesh i ndjek dhe përmes tyre informohet për punën e gjykatave”, tha Avramovski.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, pak kohë më parë u ka bërë thirrje partive politike dhe institucioneve tjera në Maqedoninë e Veriut që t’i japin fund presioneve ndaj pushtetit gjyqësor.
Ndryshe, periudha e deritanishme, edhe njëherë dëshmoi se pushteti gjyqësor ka probleme që duken gati se të pandreqshme në Maqedoninë e Veriut. Ky sistem, përballet me mungesë pavarësie dhe paanshmërie, mungesë llogaridhënie, mungesë profesionalizmi dhe kompetencash, si dhe mungesë cilësie dhe efikasiteti. Skandalet e një-pas-njëshme e kanë shoqëruar sistemin, nëse mund të quhet si i tillë, të drejtësisë. Ngjarjet në Këshillin e TIK, dëshmuan mungesë pavarësie dhe paanshmërie.
Viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykim të Drejtë. Ata theksuan se ka stangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.