Ageler – Kovaçevski: ShBA do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në vend, Angela Ageler, sot është takuar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri, ndërsa nga Qeveria thonë se, ajo ka përcjellë vendosshmërinë e ShBA-së që të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut edhe në periudhën vijuese, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftuan nga Qeveria, Kovaçevski ka falënderuar edhe për mbështetjen nga sekretari shtetëror amerikan, Antony Blinken, të cilin ai e ka shprehur në takimin e 9 majit në Uashigton gjatë kohës së vizitës së kryeministrit në ShBA.

“U theksua përkushtimi i dyanshëm për zhvillimin e përgjithshëm të raporteve miqësore, bilaterale dhe ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, si aleate në NATO, por edhe si dy vende të cilat ndajnë vlera të përbashkëta. Ambasadorja Ageler përcjelli vendosshmërinë e fortë të ShBA-së që të vazhdojnë edhe më tej të mbështesin Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar lartë vendimet e deritanishme që i ka ndërmarrë Qeveria në drejtim të sigurimit të ardhmërisë prosperuese në kuadër të BE-së dhe NATO-s”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Kujtojmë se, në kuadër të vizitës së tij në ShBA, Kovaçevski më 9 maj realizoi një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Antoni Blinken. Në takim, Kovaçevski dhe Blinken shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve, si dhe për situatën në rajon.