3 gazetarë të tjerë vriten në sulmet izraelite në Gaza, numri total shkon në të paktën 136
Tre gazetarë të tjerë palestinezë u vranë në sulmet e reja izraelite në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 136 që nga 7 tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.
Zyra për media e autoriteteve në Rripin e Gazës identifikoi gazetarët e vrarë si Muhammad Al-Rifi, Abdul Rahman Saima dhe Mahmoud Imad Issa.
Më herët, zyra për media tha se Izraeli vrau “qëllimisht” gazetarë në Gaza për të heshtur zërin e palestinezëve, për të fshehur faktet dhe për të parandaluar që informacioni të arrijë publikun rajonal dhe ndërkombëtar.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.
Që atëherë, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe afër 74.300 të tjerë janë plagosur.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të shumicës së popullsisë së Gazës, ndërkohë që pjesa më e madhe e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.