15% zbritje, por sërish shtrenjtë: Shpenzimet shkollore rëndojnë xhepat e prindërve
Fillimi i vitit shkollor duket të jetë një sfidë për xhepin e prindërve, pasi çmimet e materialeve shkollore mbeten të larta edhe pse disa artikuj shiten me 15 përqind zbritje, pavarësisht kësaj, prindërit ankohen se shpenzimet mbeten të larta, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk vizitoi pika të ndryshme ku shiten mjete shkollore, në të cilat ishin të vendosura me zbritje prej 15 përqind, në disa paisje shkollore.
Çmimet e materialeve shkollore variojnë, duke filluar nga gomat 5 denarë deri te çanta, që kushton 4.900 denarë.
Në një librari çmimet e gomave fillojnë nga 5 deri në 30 denarë, ndërsa vizoret e thjeshta shiten nga 20 deri në 150 denarë. Po ashtu, gërshërët kushtojnë nga 50 deri në 120 denarë, kurse ngjyrat e drurit prej 65 deri në 180 denarë. Fletoret me format A4 kanë çmim prej 47 denarë, por me zbritje kushtojnë 40 denarë. Temperat mund të gjenden me 170 ose 230 denarë, ndërsa kalkulatori kushton 290 denarë. Nga ana tjetër, ngjitësi kushton vetëm 35 denarë, kurse numratorja 350 denarë. Çantat për lapsa dhe ngjyra fillojnë nga 470 denarë, ndërsa çantat e mëdha për nxënës shkojnë nga 490 deri në 4.900 denarë.

Në një market, një fletore e vogël kushton nga 29 deri në 33 denarë, ndërsa një fletore me format A4 kushton 79 denarë, por me zbritje 67 denarë, dhe një fletore me kopertinë kushton 126 denarë. Ngjyrat e ujit kushtojnë 169 denarë, ndërsa një bllok i vogël kushton 50 denarë, ai me format më të madh 74 denarë. Ngjitësi kushton 55 denarë, gërshërët shiten nga 24 deri në 61 denarë, një laps kushton 24 denarë, ndërsa një komplet me lapsa 179 denarë. Gdhendëset kushtojnë nga 33 deri në 55 denarë, dhe vetëm një vizore kushton 29 denarë, dhe çantat kushtojnë prej 339 denarë deri në 2499 denarë varet prej markës.
Çmimet e lapsave nëpër tregje të tjera fillojnë nga 20 denarë, deri në 45 den, fletoret nga 50 denarë janë në 120 denarë, disa të tjera nga 140 denarë me 15 përqind kushtojnë 120 denarë, gumat prej 20 denarë në 15 denarë, çantat fillojnë prej 750 denarë deri në 1650 denarë, kutitë për ushqim fillojnë me çmime 290 denarë.

Prindërit ankohen se edhe me zbritje, çmimet e materialeve shkollore mbeten të larta dhe shpenzimet dalin prapë të njëjta.
“Vetëm për vajzën shpenzova 3400 denarë, dhe ia mora çantën më të lirë, që kushtoi 700 denarë, ndërsa djali e ka çantën nga viti i kaluar. Gjërat e tjera shkollore do t’i blej një ditë tjetër. Më duket se nuk ka shumë ndryshime në çmime krahasuar me vitin e kaluar, dhe këto janë vetëm shpenzimet për fillim të vitit, pasi më vonë do të duhet të blejmë edhe gjëra të tjera”, tha një prind.
“Fletoret dhe blloku më kanë kushtuar rreth 500 denarë, ndërsa ngjyrat, lapsat dhe çanta e ngjyrave rreth 1200 denarë. Ndërsa për çantat kemi shpenzuar rreth 2399 denarë. Është shqetësuese se çmimet e materialeve shkollore vazhdojnë të jenë të larta, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e familjeve”, tha një prind tjetër.
Me 7 gusht 2025, Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi vendim që u kërkoi shitësve me pakicë të ulin çmimet e materialeve shkollore, si pjesë e fushatës “Më pak shpenzime, më shumë për ju, ne kujdesemi”, i cili synon mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve para fillimit të vitit shkollor. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 15 gusht dhe do të zgjasë deri më 15 shtator.
Kujtojmë se edhe fillimin e vitit të kaluar shkollor 2024/25 Portalb.mk analizoi çmimet e materialeve shkollore, ku prindërit u shprehën se pajisjet shkollore ishin të shtrenjta. Më pas, Qeveria miratoi vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve shkollore për një periudhë nga 03.09.2024 e deri më 20.10.2024.
- LEXO: Nga sot, materialet shkollore në RMV do të kenë çmime të reduktuara prej 10 dhe 15 përqind
- LEXO: Prindërit ankohen se çmimet e mjeteve shkollore janë rritur derisa nesër fillon viti i ri shkollor
- LEXO: Qeveria e RMV-së shqyrton kufizimin e çmimeve për produktet shkollore
- LEXO: Materialet shkollore në RMV do të jenë 15 përqind më lirë deri më 15 shtator, vendosi Qeveria