10 vite art, sakrificë dhe sukses, Ansambli “Ilirida” vjen me koncertin e dekadës

Sonte, duke filluar nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup, Ansambli “Ilirida” do të shënojë 10-vjetorin e themelimit me një koncert festiv që pritet të mbledhë dashamirë të shumtë të kulturës, artit dhe traditës shqiptare. Pas një dekade përkushtimi në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e folklorit shqiptar, “Ilirida” ngjitet në skenë me një program të pasur artistik, duke sjellë para publikut valle, këngë dhe elemente skenike që pasqyrojnë rrugëtimin, rritjen dhe identitetin e ansamblit ndër vite, shkruan Portalb.mk.

Ilir Loku kryetar i Ansamblit për Portalb.mk tha se Ansambli nuk ndërton vetëm valltarë, por ai formon shpirt, identitet dhe vazhdimësinë e kulturës sonë.

“Ansambli ka nisur si një ide e pastër dhe si një pasion i madh për artin koreografik dhe traditën shqiptare, ndërsa sot është shndërruar në një strukturë të konsoliduar me identitet të qartë artistik. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i punës sistematike, disiplinës dhe përkushtimit të vazhdueshëm ndaj cilësisë dhe origjinalitetit. Për mua, gjëja më e rëndësishme ka qenë gjithmonë edukimi i gjeneratave të reja, jo vetëm t’i mësojmë të vallëzojnë, por t’i lidhim shpirtërisht me kulturën tonë. Besoj se pa këtë ndjenjë, arti mbetet i zbrazët. Ka pasur shumë momente të bukura gjatë viteve, por më emocionuesi ka qenë gjithmonë kur kam parë një fëmijë të rritet brenda ansamblit, nga hapat e parë deri në skenë. Pikërisht aty e kupton se nuk po ndërton vetëm koreografi, por po ndërton artistë, identitet dhe vazhdimësi”, tha Loku.

Sonte, duke filluar nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup, Foto nga Ansambli “Ilirida”. Foto Ilir Loku (Facebook)
Sonte, duke filluar nga ora 19:00 në Teatrin Shqiptar në Shkup, Foto nga Ansambli “Ilirida”. Foto Ilir Loku (Facebook)

Loku shtoi se koncerti nuk është vetëm festë e 10 viteve punë, por një rrëfim i gjallë i sakrificës, rritjes dhe shpirtit që kanë ndërtuar bashkë.

“Koncerti i 10-vjetorit është konceptuar si një rrugëtim artistik që përmbledh frymën, punën dhe identitetin e ansamblit ndër vite. Programi përfshin valle tradicionale të përpunuara, elemente skenike bashkëkohore dhe një rrëfim të qartë që ndërtohet përmes dramaturgjisë. Publiku do të ketë mundësi të shohë numra të veçantë që nuk janë prezantuar më herët, si dhe pjesëmarrjen e mysafirëve nga Zvicra, Ansambli “GËZUAR” nga Gjeneva. Megjithatë, surpriza kryesore mbetet mënyra se si ndërtohet e gjithë narrativa e koncertit, jo thjesht si një shfaqje, por si një përjetim emocional dhe artistik. Ky koncert është një reflektim mbi një dekadë pune, sakrifice dhe përkushtimi. Për mua ka shumë rëndësi që publiku të mos e shohë vetëm rezultatin final, por ta ndjejë të gjithë rrugëtimin tonë, sfidat, rritjen dhe identitetin që kemi ndërtuar bashkë ndër vite”, tha Loku.

Ky koncert jubile nuk është vetëm një retrospektivë e punës 10-vjeçare të Ansamblit “Ilirida”, por edhe një dëshmi e përkushtimit për ta mbajtur të gjallë frymën e traditës shqiptare. Me energjinë dhe pasionin që e ka karakterizuar ndër vite, ansambli synon të vazhdojë edhe në të ardhmen misionin e tij kulturor, duke frymëzuar brezat e rinj dhe duke e çuar më tej trashëgiminë tonë artistike.

Afishja e koncertit. Foto: Ilir Loku
Afishja e koncertit. Foto: Ilir Loku