01:19

Vapë vere marramendëse dhe dasëm shqiptare nervëprishëse. Disa javë të korrikut e gushtit, nga ora 11 para ditën deri pas mesnate “me detyrimdëgjojmë” një repertor ritmesh, këngësh e muzike vulgare, të të gjitha zhanreve e gjuhëve të Ballkanit, shto kësaj edhe ato orientale. Tallavaja dominon, por edhe turbo-folku nuk mungon si erëz e domosdoshme; pak ama “reprezentativ”. Një a dy këngë serbe s’di si i kanë futur në program kur paprerë shesim patriotizëm. Këngë me tekste e ritme dhunuese, pa shije, pa kuptim e pa porosi. Gjithçka në frymën e filozofisë tribale-paçavure “lujna kcejna”, “kce me def”, “jasha habibi”, “lujta babo lujta”.

Hepening në hapësirë, në qiell të hapur, në kohën kur të gjithë thonë “shyqyr tani pak freskët pas temperaturave ditore sahariane”. Degradim kulturor, ekzemplar i kiçit të afirmuar masovisht – që ky tip shqiptari e sheh si kulm të vetërealizimit – në emër të “atmosferës”.

00:00, është koha tash të ndalen- them në vetvete. Jo… Një herë shqiptari bën dasëm dhe “jeni të detyruar që edhe ju të bëheni pasivisht pjesë e eventit tim”. 00:30. Edhe këta akrepa të orës ose numrat digjitalë të celularit nuk mjaftojnë që ta pezullojnë koncertin me DJ a pa të, s’i rash në fije. Herë dalin jashtë skemës, me reklama restorantesh e shmaponësh a ç’gjë tjetër! Ka edhe mini-seancë të pushkaliqeve. Atmosfera n’kulm!

Përdhunim ky është. Dhe shikoj fjalorin çfarë kuptimi ka fjala përdhunim. Kuptimi i dytë lidhet me frojdianen, me çnderimin e një femre. I pari është: “E shtrëngoj dikë me forcë që të bëjë diçka kundër dëshirës e vullnetit të vet”. Në një fjalor tjetër i gjejmë edhe këtë interpretime: “Shkel rëndë një ligj, të drejtat e dikujt etj., dhunoj. Përdhunonin çdo të drejtë të punëtorëve (të fshatarëve pa tokë).” “Prish, shëmtoj diçka të bukur, të mirë a të pastër. Përdhunonin gjuhën. Përdhunonin ndërgjegjen (ndjenjat).” E vërtetë. Ky lloj muzike pa kurrfarë vlere, me decibela ekstremë, jashtë çdo normaliteti dhe logjike është vërtet prishje e shëmtim, është përdhunim edhe i gjuhës, edhe i ndërgjegjes, edhe i të drejtave tona qytetare të garantuara me ligj.

Ndërkohë qe disa ditë po redaktojmë një libër mbresëlënës, Udhëtim për në kasollen e Heidegger-it në të cilin na doli para edhe kjo shprehje: “poezi ekzistenciale”,  që nuk flet vetëm për atë që i ndodh njeriut, por për atë se çfarë do të thotë të jesh njeri. Dhe e mendoj dhe them me vete: ishalla këta darsmorët nuk janë kurbetqarë sepse atëherë të kaplon një shpresëthyerje e tipit: “Jo ne s’bëhemi! Nëse këta njerëz as pas 35 vitesh të klauara në vende që shpërfaqen në tabelat e veturave me CH, D, N, B, I e F nuk kanë arritur të kultivohen, të kulturizohen, s’di çfarë të themi? Mozomakeq!” Po edhe nëse është i këtuhit prapë keq. Ktheje nga ta kthesh… hallakamë!

Ecin minutat e ne në pritje të ndalimit të kësaj muzike të shndërruar në “vijë të mesit”, që stolis çdo aheng ku live këndojnë artistë e pseudo-këngëtarë, pa kurrfarë ritmi e domethënieje. Prite prit… dhe vërtet “Tallava me fjal pa u nal”… Zëri vjen nga një shtëpi që andej, para saj edhe një tjetër. Me të njëjtin kurs, “copy – paste”. “Edukim, arsim, sa gjëra sublime jeni!”-psherëtijmë. Deri në ora një e nëntëmbëdhjetë të së martës pas mesnate. Është momentumi final kur darsmori shqiptar vendos të thotë “fajront” (nga gjermanishtja Feierabend: fund i kohës së punës) argëtimit rreth 13 orësh brenda një dite. Ne ende zgjuar, duke falënderuar Zotin që çdo gjëje i ka dhënë fillim e mbarim, se të ishte në duart tona edhe sadizmin do ta kishin bërë të pafundëm.

Mos vallë jemi kundër argëtimit? Jo. Argëtimi është pjesë e pandashme jetës. Gëzim e hare po, ama me karar, me masë, me kriter, me empati, me respektim të hapësirës audiale të tjetrit. Çdo shtëpi meriton të përjetojë një atmosferë festive të dasmës që është një nga pikat kufitare të jetës, ekstra e rëndësishme për odiseadën e njeriut në këtë botë. Një herë martohet njeriu. E vërtetë. Ama oborri a bahçeja s’guxon të shndërrohen në restoran, në mes të vendbanimit ku ka edhe njerëz të sëmurë rëndë, pleq e fëmijë, njerëz me halle të ndryshme.

Kultura nuk matet vetëm me materialen, me Range Rover SV-në e pjatën 40 euroshe, por me finesa, delikatesë, subtilitet e rafinim, me hollësitë e vlerave me të cilat tregohet niveli civilizues. Dhe kënga e fundit: “O da ta kallim o shokë… “ Vërtet e keni kallë, ama edhe nivelin e keni rrëxuar sa s’bën, përtoke. Policia e organet e rendit as që na bien ndërmend sepse janë në një gjumë dimëror të arushës. Sy kanë s’shohin, veshë kanë s’dëgjojnë. Natë. Rri, kujto e “dyshyndys”! – thoshte e ndjera ime gjyshe. Dhe kërkojmë në celular fjalët e zgjedhura për këtë kolumnë të Victor Franklit, „Njerëzit veprojnë sipas instinkteve të tyre, por janë vlerat ato që i mbajnë të disiplinuar.“ Çka me thënë më tepër! Aq për sot! Masalla n’shkallë shneti n’ballë! S’ishte masallë apo rrëfim imagjinar, por real story për të marrë mësim mendarët!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.