KSHZ-ja deri në ora 15:00 ka regjistruar 233 kundërshtime për procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut
Në procesin për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri në ora 15:00 janë regjistruar 233 kundërshtime në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, transmeton Portalb.mk.
“Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 233 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës personale të votimit. Prej tyre, 38 kundërshtime janë pranuar dhe zgjedhësve iu është mundësuar realizimi i të drejtës së votës”, sqaroi KSHZ-ja.
Komisioni ka sqaruar që 21 kundërshtime janë hedhur poshtë si të parregullta dhe 22 janë refuzuar.
Ndryshe, deri në ora 15:00, Komisioni raportoi që të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 35.89 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. Deri më tani parregullsi ka raportuar edhe Ministria për Punë të Brendshme dhe Prokuroria.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758 votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale.
- LEXO: Maqedonia e Veriut voton në zgjedhjet presidenciale, të gjitha lajmet për procesin, minutë pas minuti (LIVE)
- LEXO: Numri i votuesve të regjistruar në të gjitha zgjedhjet presidenciale të RMV-së 1994-2024
- LEXO: RMV, përqindja e daljes së votuesve në të gjitha zgjedhjet presidenciale deri më tani (Infografik)