Zjarr i madh te një fabrikë në Kosovë dhe te një treg në Shqipëri

Është përfshirë nga flakët fabrika e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po tentojë ta lokalizojnë zjarrin, raporton Koha.net. Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas informatave të pranuara deri tash nuk raportohet për të lënduar, por se verifikimi do të vazhdojë.

“Rreth orës 16:50, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit. Zjarri është i përmasave të mëdha dhe ekipet emergjente vazhdojnë punën për ta vënë situatën nën kontroll. Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka thënë për KOHËN Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës.

Fitim Agushi nga njësitet e zjarrfikësve në Gjakovë ka thënë se kanë kërkuar përforcim nga komunat e tjera për të ndihmuar në fikjen e zjarrit.

Ndërkaq “Comodita Home” në një njoftim publik ka bërë të ditur se punëtorët janë evakuuar me kohë dhe nuk ka ndonjë të lënduar.

“Aktualisht, ende nuk janë konstatuar shkaqet e ndezjes së zjarrit dhe nuk mund të përllogaritet vlera e dëmit material”, thuhet në njoftim.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se po luftohet për ta mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit, që deri tash nuk është dëmtuar.

Ai ka vlerësuar zyrtarët e emergjencave, teksa ka thënë se “Comodita” është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe në krye të taksapaguesve.

Përmasa të frikshme ka marrë zjarri që ka përfshirë tregun e rrobave të përdorura në lagjen 5 Maji në Tiranë. Top Channel raporton se për shkak të materialeve tekstile lehtësisht të djegshme, zjarri është vështirë të vihet nën kontroll. Ndërkohë në vendngjarje janë përqendruar të gjitha forcat zjarrfikësve, si dhe janë tërhequr edhe ato që ndodheshin në Durrës për përmbytjet.

Mësohet se është kërkuar ndihma edhe e ushtrisë dhe zjarrfikësve të Elbasanit dhe Vorës.

Deri tani nuk raportohet për njerëz të lënduar.