Zenun Sherifi nga Maqedonia e Veriut fitoi çmimin “William Walker”, në nder të masakrës së Reçakut
Artistit Zenun Sherifi nga Maqedonia e Veriut, u vlerësua me Çmimin kryesor, “William Walker”, për veprën e tij mbresëlënëse që mishëron tragjedinë dhe guximin njerëzor, në edicionin e parë të ekspozitës “Çmimi William Walker” e cila po qëndron e hapur deri nesër në Shtëpinë e Kulturës në Shtime Kosovë, transmeton Portalb.mk.
Kjo ekspozitë realizohet për të përkujtuar dhe nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të dhimbshme të luftës në Kosovë.
Artisti Zenun Sherifi në profilin e tij në Facebook ka shprehur falënderime jurisë për vlerësimin.
“Faleminderit Komunës së Shtimes, dhe komisionit të përbërë nga juria profesionale e kryesuar nga Fortesa Beqa-Arifi, Ilmi Sadiku dhe Muamer Sadiku, të cilët pikturën time “Gjëmat e Reçakut“ e vlerësuan me çmimin kryesor “William Walker”. Ndjehem tejet i nderuar. Sakrifica dhe gjaku i derdhur për liri, janë dhe do të mbeten përjetësisht në kujtesën dhe zemrën time! Përjetësisht, Respekt dhe Lavdi”, ka shkruar Sherifi.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë artistë nga rajoni dhe më gjerë, duke paraqitur punime që reflektojnë dhe dokumentojnë dhimbjen, vuajtjet dhe qëndresën e popullit shqiptar gjatë periudhës së luftës.
Ekspozita u ideua dhe organizuar nga artistja Emine Jetishi, e cila me përkushtim të madh realizoi këtë iniciativë të veçantë për të reflektuar mbi historinë dhe për të mbajtur të gjallë kujtimin e sakrificës së popullit shqiptar.
Emine Jetishi për Portalb.mk tha se si një gjeneratë e luftës, ka dashur që të sjell diçka të veçantë nëpërmjet artit, me e falënderuar ambasadorin, për gjitha sakrificat të cilat ai i ka bërë në Reçak dhe në Kosovë, e që vazhdon mos me harru ende.
Gjithashtu ekspozitën sot e vizitoi edhe ambasadori William Walker, ku u nda shumë i kënaqur me punën e ideatorëve.
