Qeveria e Kosovës e themeloi Institutin për adresimin e krimeve të luftës nga Serbia

Qeveria e Kosovës ka themeluar Institutin për adresimin e krimeve të Serbisë në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë, raporton Anadolu.

Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në luftën në Kosovë dhe themelimi i këtij instituti është në kuadër të angazhimit të Qeverisë për të matur dëmet e shkaktuar nga Serbia.

Kurti tha se me këtë rast u bë edhe një hap për ruajtjen dhe mbrojtjen e kujtesës kolektive e cila do t’i shërbejë qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk janë të shkuara. Plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme. Është e pafund dhimbja. Duke dokumentuar krimet dhe dëmet e luftës ne edhe e ndajmë dhimbjen edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të shkuarën”, theksoi Kurti.

Për këtë Institut, Kurti tha se ka emëruar Atdhe Hetemin në pozitën e drejtorit ekzekutiv i cili ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit, menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e buxhetit si dhe lidhjen e kontratave në emër të institutit.

Tutje Kurti tha se themelimi i këtij instituti është obligim moral “për të kujtuar gjithmonë sakrificën e popullit tonë”.

“Plagët janë ende të njoma. Ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Po i japim prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij vitit janë kryer gërmime në 11 lokacione prej tyre 5 lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, pa përfshirë rastet e fundit në Bishtazhin (Gjakovë) dhe Prizren”, ka shtuar Kurti.

Ky institut me kryerjen e veprimtarisë së vet, do të bazohet në gjashtë parime të sistemit të drejtësisë: parimin e ligjshmërisë, të pavarësisë dhe paanshmërisë, të transparencës, të mbrojtjes së të dhënave, parimin e mosdiskriminimit si dhe parimin e konfidencialitetit.