Wanted: Etika e profesionit (I)

Fjalori i Kembrixhit shprehjes “wanted” i jep dy kuptime: (1) i/e dëshiruar dhe dashur nga njerëzit e tjerë dhe (2) të qenët i/e kërkuar nga policia për shkak të një krimi. Ne “wanted” e kemi përdorur në këtë titull në kuptimin e parë, si një gjë që duhet, që është e shumëkërkuar nga njerëzit dhe shoqëria.

Këtyre ditëve të bekuara të muajit të shenjtë islamik si shoqëri u shqetësuam nga dy raste tronditëse të sferës së mjekësisë, njëri në Manastir, lindje e dhunshme nga pakujdesia e doktorëve me pasojë vdekjen e foshnjës dhe tjetri në Tetovë me “Rastin Tik-tok” nga gjinekologjia, reparti i lindjeve. “E vratë fëmijën tonë për shkak të egos, arrogancës dhe joprofesionalizmit tuaj…” “Deri kur do të vuajmë nga piunë partiakë?” qe shprehur nëna V.K që humbi beben e vet. Ndërsa për rastin e anesteziologut shqiptar fjalët janë të pakta, të lënë pa tekst “pakujdesia në shërbim, në punë”, live seanca, “incizimi i pautorizuar” që cenon privatësinë e njerëzve. Suspendimi nga vendi i punës i personave të tillë është një hiçgjë e madhe. Ndëshkime shumë të rënda meritojnë personat shpërdorues që ua kemi besuar më të vlefshmen, shëndetin.

Ndodhitë në fjalë sërish aktualizuan një temë që është e patrajtuar sa duhet ndër ne: etikën profesionale ose deontologjinë. Etika profesionale nënkupton etikën e antarëve të një një profesioni të caktuar si mjekët, juristët, mësimdhënësit, punëtorët socialë e të tjerë, që kanë një ideal shërbimi dhe kalojnë nëpër një stërvitje shkencore të caktuar.  (Airaksinen, 2012) Deontologjia, që vjen nga fjalët greke deon, detyrë dhe logos, shkencë (gr.), përbën një teori etike që afirmon rregullat për të dalluar të mirën nga e keqja, etikën e bazuar te detyrat (duty based ethics). Përshkruese të një lloji të këtillë të etikës që ndryshe quhet edhe etikë kantiane e detyrës, janë shprehjet “detyra për hir të detyrës”, “virtyti është shpërblim për vetveten” dhe “Le të zbatohet drejtësia, e ma pas le të bie qielli”. (EB, 2023) Teoria e deontologjisë shënon se ne jemi moralisht të obliguar të veprojmë në përputhje me një tërësi parimesh, rregullash pa marrë parasysh rezultatet ose rrjedhojat.

Në deontologjinë fetare, parimet dalin nga urdhëri hyjnor, nga normat qiellore, nga tekstet e shenjta (mos gënje, mos vidh, mos mashtro). Në anën tjetër qëndron teoria deontologjike shekullare (1788) e Kantit që maksimat i nxjerr nga arsyeja njerëzore, që thotë se ligji moral konsiston nga një sërë maksimash që janë kategorike në natyrë, se jemi të detyruar të veprojmë në përputhje me imperativet kategorikë (sillu në atë mënyrë që sjellja jote të bëhet ligj universal, trajtoji njerëzit si qëllim jo si mjet), që na mëson ta konsiderojmë jetën si të shenjtë dhe të pacenueshme. (Shakil, 2023)

Deontologjia është teori e kundërt me utilitarizmin që bazohet te sjellja që ofron rrjedhimet më pozitive, lumturinë dhe mirëqenien dhe konsekuencializmin që thotë se gjithnjë duhet të kemi parasysh konsekuencat e veprimeve tona. Këtu duhet  përmendur edhe teorinë morale të W.D. Ross-it (1877-1971) që niset nga detyrat Prima facie (në shikim të parë): obligimet tona janë të kushtëzuara nga relacionet dhe konteksti.

Etika mjekësore ka të bëjë me obligime të mjekëve dhe të spitalit për pacientin bashkë me profesionistët dhe shoqërinë e shëndetit. Mjeku duhet të ruajë dinjitetin dhe nderin e profesionit të vet. Objekti parësor i profesionit mjekësor është shërbimi ndaj njerëzimit; shpërblimi ose përfitimi financiar duhet të jenë çështje irrelevante për të. Ndërkohë është e ndaluar shpalosja e sekreteve të pacientëve të mësuara përmes profesionit, me përjashtim të rasteve kur kjo kërkohet mjekësisht ose ligjërisht. Joetik gjithashtu konsiderohet edhe publikimi i fotografive dhe videove pa leje. (Markose, 2016)

/vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.