Ngriti një kartel të fuqishëm kokaine, u arrestua në Turqi Dritan Rexhepi

Dritan Rexhepi, ndoshta shqiptari më i kërkuar nga shumë vende të botës, për një seri krimesh, por kryesisht për trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Europë, u arrestua të premten në Stamboll, raporton VOA.

Njoftimi u dha nga ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, sipas të cilit, shqiptari kishte në hyrë në Turqi, me një pasaportë kolumbiane, nën emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Ai u arrestua në mjediset e një vile, ku u gjetën armë, sasi të mëdha parashë si dhe drogë. Policia shqiptare bëri të ditur më pas se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë, kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tij.

Rexhepi ka një histori të pasur kriminale që nga fundvitet ’90 në Shqipëri, ku ai rezulton të jetë autori i vrasjes së dy punonjësve të policisë në Fushë Krujë në 1998. Ai do të arrestohej më pas në vitin 2006, por do të arratisej në mënyrë të çuditshme nga komisariati i Durrësit, ndërsa ishte në procedurat e marrjes në pyetje.

Ai do të shpallej në kërkim ndërkombëtar, dhe në vitin 2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e dënoi me 25 vjet burgim, për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e dënoi me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

Në ndërkohë, Rexhepi kishte vite që kishte ngritur një rrjet të tërë të trafikut të kokainës, dhe ishte arrestuar dy herë të jera në Europë, për t’u arratisur si nga një burg në Itali ashtu dhe nga një tjetër në Belgjikë. Në 2014 ai u arrestua në Ekuador, si pjesë e një operacion të gjerë antidrogë. Ai u dënua me 13 vite burg në 2015, por në nëntor të 2021 u la i lirë nën mbikqyrje. Nga Ekuadori, dyshohet se ai urdhëroi në dhjetor të vitit 2019, rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e Jan Prengës, si hakmarrje ndaj vëllait të këtij të fundit, të cilin Rexhepi e konsideronte përgjegjës për zhdukjen e një sasie shumë të madhe kokaine në Angli.

Dritan Rexhepi konsiderohet si drejtuesi i një karteli droge me emrin “Kompania Bello” që përbëhej nga 14 organizata shqiptare. Në vitin 2020, Europol njoftoi pas operacionit policor “Los Blancos” të zhvilluar në 10 shtete europiane se karteli mund të quhej i shkatërruar.