Von der Leyen: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se Kosova duhet ta pranojë draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia duhet ta pranojë njohjen de facto të Kosovës, raporton Koha.net. Kështu është shprehur ajo në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, pas takimit të tyre të zhvilluar të hënën në Zyrën e Presidentes.

Sipas saj, dialogu është e vetmja mënyrë për të ecur para.

“Ne kemi një plan të ri të investimeve dhe ky plan është duke funksionuar shumë mirë. Nëse funksionon për shtetet anëtare të BE-së do të funksionojë edhe te vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky plan ka mundësinë që brenda një dekade të dyfishojë të ardhurat tuaja. Të gjitha këto suksese arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kosova duhet të pranojë draftin për Asociacionin, kurse Serbia duhet të pranojë një njohje de facto dhe dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar para”, ka thënë ajo.

Von der Leyeni ka folur edhe për liberalizimin e vizave, për çka ka thënë se është mënyra e vetme për përafrim të njerëzve dhe përforcim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së.

“Në fillim dua të ju flas për liberalizimin e vizave, më kujtohet shumë mirë viti i kaluar kur ne të dyja në një konferencë për shtyp bëmë një thirrje të fuqishme për liberalizim të vizave. Tani këtë vit duhet të them se pothuajse ja dolëm sepse ky është një hap i avancuar, që nga 1 janari Kosova do të mund ta shijojë e gëzojë lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër ne e dimë që kjo është mënyrë fantastike që t’i përafrojmë njerëzit dhe është gurthemel i rëndësishëm në përforcimin e marrëdhënieve tona. Kjo vjen si rezultat i një pune të madhe përgjatë vitesh”, ka thënë ajo.

Pas takimit me Osmanin, Von der Leyeni është pritur nga kryeministri Albin Kurti.