VMRO thotë se Mickoskit i dhembin gjunjët prandaj udhëton me klasë biznes, LSDM: Kur u ngjit në Vodno nuk i dhembnin?

A kanë të tre ministrat në qeverinë e Mickoskit që ishin në Uashington me shpenzime shtetërore të njëjtat probleme me gjunjët, kështu që duhet të udhëtojnë në klasë biznesi, pyet LSDM pas shpjegimit të kryeministrit Hristijan Mickoski se ka udhëtuar në klasë biznesi sepse ka pasur probleme me gjunjët, transmeton Portalb.mk.

“Me të qeshura dhe mosbesim, opinioni dhe qytetarët dëgjuan ‘justifikimet’ e Mickoskit se shkak ishin problemet e gjurit. A kanë të 3 ministrat në qeverinë e Mickoskit që ishin në Uashington me shpenzime shtetërore të njëjtat probleme me gjunjët, kështu që duhet të udhëtojnë në klasë biznesi? Dhe kur Mickoski bëri foto në ngjitje në Vodno, a kishte problem me gjunjët? Mickoski gënjen dhe bën shaka me ata që e paguajnë, qytetarët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Mickoski në një intervistë televizive tha se udhëtimi i tij në klasë biznesi ishte në linjat e huaja, përkatësisht Vjenë – Uashington dhe Nju Jork – Vjenë. Në fluturimin nga Shkupi për në Vjenë dhe anasjelltas, siç tha ai, ishte në klasën ekonomike.

VMRO-DPMNE iu përgjigj me shpejtësi reagimit të LSDM-së.

“Kur jemi te udhëtimi me aeroplan, kanë qenë zyrtarët e LSDM-së që kanë dëmtuar qytetarët. Nga 30 ditë avioni është përdorur për 25 ditë nga ministrat e BDI-së dhe LSDM-së , madje edhe deri në Nish, ndërsa Zaev dhe ministrat e LSDM-së shkuan me helikopter shtetëror edhe në qytetet e Maqedonisë pa asnjë nevojë. Për shkak të LSDM-së për servisin e avionit do të paguhen 1 milion euro nga buxheti i qytetarëve. Ka kaluar koha kur paratë e qytetarëve janë shpenzuar në mënyrë të paarsyeshme dhe në vend të qytetarëve, paratë kanë shkuar te partnerët e LSDM-së dhe BDI-së. Pyetja e vërtetë është a shpërndahen 100 milionë euro pa kriter për gjoja mbështetje të kompanive në Covid?, apo si janë shpenzuar 550 milionë euro për një hekurudhë që përfundon në një tunel pa dalje”, thonë nga partia.

Ndryshe, LSDM-ja opozitare para disa ditëve ka reaguar në lidhje me dyshimet nëse djali i kryeministrit Hristijan Mickoskit, Jovani, ka udhëtuar në Uashington me paratë e shtetit.

VMRO-DPMNE-ja ka reaguar, duke theksuar se djali i kryeministrit nuk ka qenë pjesë e delegacionit të vendit në Samitin e NATO-s, përkundër asaj se kryeministri ka pasur mundësi të marrë një anëtar të familjes në delegacionin shtetëror.

KShPK hapi lëndë për këtë rast.