VMRO rimori fuqinë edhe në komuna, por sa i rrezikshëm është pushteti absolut?
65 nga gjithsej 81 poste të kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut përfunduan në konton e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it. Këtu bën pjesë edhe partneri i tretë qeveritar, ZNAM-i, i cili mbetet në krye të pushtetit lokal në komunën më të madhe në vend, Kumanovën. Kjo do të thotë që partnerët qeveritarë, përveç se që do të kenë në dorë pushtetin qendror, në katër vitet e ardhshme do të qeverisin edhe në nivel lokal në mbi 80% të komunave dhe qyteteve në vendin tonë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
“Këto ishin zgjedhje lokale dhe ndoshta bëhej fjalë për një ofertë për problemet lokale, por padyshim me këtë fuqi gjithçka do të jetë në duart e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, nga kanalizimet deri te integrimi evropian. Mendoj se pasi të qetësohet kjo eufori ata do të përballen me presion të drejtpërdrejtë se çdo gjë do të duhet ta zgjidhin ato”, tha gazetari dhe analisti politik Nazim Rashidi për Radion Evropa e Lirë (REL).
Ai thekson se partitë nuk duhet ta konsiderojnë këtë vetëm si një “rezultat të mirë për to”, por duhet të marrin në konsideratë edhe se sa përgjegjësi kanë dhe se tani gjithçka “në thelb do të varet nga veprimet e tyre në të ardhmen”.
Nga 65 postet e kryetarëve të komunave nga të dy partitë, 55 janë nga VMRO-DPMNE-ja dhe 10 nga VLEN-i.
Dominim tashmë i parë, por a është nxjerrë mësim?
Edhe pse me zgjedhjet lokale lidershipi dhe bindshmëria e partisë në politikën në Maqedoni u rrit, kjo nuk dallon edhe aq shumë nga ajo se si ishte deri më tani, thotë analisti dhe drejtori i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Aleksandar Krzhallovski.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit kur kishte 42 kryetarë komune, VMRO-DPMNE-ja tani ka një rritje prej 13 postesh të kryetarëve të komunave.
Krzhallovski përkujton se edhe para dy cikleve zgjedhore, vendi kishte një përvojë të ngjashme. Në vitin 2017, LSDM-ja në pushtet në atë kohë fitoi 57 kryetarë komune, ndërsa VMRO-DPMNE-ja vetëm pesë.
“Gjërat ndryshojnë, sidomos këtu tek ne, shumë më shpejt nga çe mendojmë. Kështu që besoj se kanë marrë mësim dhe se do të sillen më me kujdes”, tha Krzhallovski për Radion Evropa e Lirë.
Si ai ashtu edhe Rashidi shpresojnë se ka ndërgjegjësim midis politikanëve dhe se mësimi është marrë, duke iu referuar deklaratave të vetë politikanëve natën e zgjedhjeve.
Kryeministri dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pasi shpalli një fitore bindëse në raundin e dytë, paralajmëroi për kujdes.
“Të gjitha zgjedhjet janë mesazh dhe këto zgjedhje janë një mesazh edhe për ne, për të mos e humbur kontrollin prej fitores, por për t’u marrë me përgjegjësinë e dhënë nga qytetarët dhe për ta justifikuar veten. Le të ndryshojmë dhe të përmirësohemi”, deklaroi Mickoski natën e 2 nëntorit.
Si mund të “kthehen” LSDM-ja dhe BDI-ja?
Përderisa partitë në pushtet tani kanë pushtetin dhe përgjegjësinë në të gjitha nivelet, LSDM-ja dhe BDI-ja në opozitë duhet të kthehen nga vetja në mënyrë që të mund të kthehen si lojtarë politikë pas humbjes në zgjedhjet lokale.
“Sigurisht, ata vetë duhet të bëjnë diçka për t’u kthyer në një gjendje konkurruese, si reformat në parti. Ndoshta një rivlerësim i gjithçkaje që ndodhi në periudhën e kaluar – nga Marrëveshja e Prespës, nga Marrëveshja me Bullgarinë dhe propozimi francez, për të parë se sa ndikoi kjo në këtë rezultat në zgjedhjet lokale, por edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar”, thotë Krzhallovski, duke aluduar tek LSDM-ja.
Por edhe BDI-ja, siç thekson ai, në ideologjinë e saj është gjithashtu një parti socialdemokrate dhe për këtë arsye të dyja duhet të rishqyrtojnë nëse dhe si duan të kthehen në socialdemokraci.
“Sigurisht, ato duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe ta reflektojnë atë në mënyrë adekuate në strukturat e tyre partiake, të ketë hapje dhe demokraci të brendshme në mënyrë që njerëzit më të mirë të kthehen ose në radhët e tyre të mobilizohen njerëz të rinj “, shton ai.
Rashidi, nga ana tjetër, thekson se të dyja partitë janë në poste të ndryshme dhe rezultatet janë një alarm për të dyja, jo vetëm për vendimet kadrovike, por edhe për politikat që po ndiqen sepse në skenë kemi edhe ndryshime gjeneratash.
Socialdemokratët, siç thotë ai, mund të jenë në një lloj konsolidimi sepse edhe vetë e theksojnë se kanë një lidership relativisht të ri. Por pavarësisht kësaj, ata duhet të përballen me rezultatet dhe të shohin se ku kanë gabuar dhe ku nuk kanë qenë të zhurmshëm dhe nuk kanë kritikuar mjaftueshëm, thekson ai.
“Për BDI-në, ky duhet të jetë realisht një moment analize serioze se ku do të shkojnë më tej. Që nga largimi i Izet Mexhitit dhe vetë luhatja e asaj që përfaqëson BDI-ja nuk ka pasur asnjë analizë serioze se pse po ndodh kjo”, thekson Rashidi.
Udhëheqësit e LSDM-së dhe BDI-së, Venko Filipçe dhe Ali Ahmeti, njoftuan ndryshime kadrovike.
Filipçe ishte i vendosur se nuk do të japë dorëheqjen edhe pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në të cilat partia fitoi vetëm gjashtë kryetarë komune, por tha se rezultatet janë një mesazh për drejtimin në të cilin do të lëvizë partia. Ndër Sociademokratët, një nga nënkryetaret, Ana Çupevska, tashmë ka dhënë dorëheqjen, ndërsa Gjorgji Galetanovski më parë dha dorëheqjen si kreu i organizatës së qytetit në Shkup, ku partia nuk arriti as të hynte në raundin e dytë të garës për kryetar komune të kryeqytetit.
Në BDI tani për tani nuk ka dorëheqje, ndërsa Ahmeti në fjalimin e tij dërgoi mesazhe se rezultatet nënkuptojnë një thirrje për forcimin e partisë, për t’u afruar me qytetarët dhe për të ripërtërirë radhët e partisë.
BDI-ja, e cila në këto zgjedhje udhëhoqi koalicionin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), fitoi vetëm katër vende për kryetarë komune.
Kujtojmë se, zgjedhjet lokale më 19 tetor – raundi i parë dhe më 2 nëntor – raundi i dytë, ishin të tetat me radhë në vend që nga pavarësia në vitin 1991. Ato u mbajtën më pak se dy vjet pas zgjedhjeve parlamentare në maj të vitit 2024, kur VMRO-DPMNE-ja u rikthye në pushtet në nivel qendror pas shtatë vitesh në opozitë. Partia formoi një koalicion me VLEN-in dhe ZNAM-in, duke e dërguar në opozitë LSDM-në, por edhe BDI-në, e cila kishte qenë në pushtet për rreth dy dekada.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të cilat janë ende jozyrtare: VMRO – DPMNE fitoi 21 komuna dhe Qytetin e Shkupit, VLEN fitoi 4, LSDM fitoi 3, AKI, UNIONI I ROMËVE, ZNAM dhe Mendi Qyra nga 1 komunë.
Në kombinim me rrethin e parë, VMRO-DPMNE ka fituar 54 komuna dhe Qytetin e Shkupit. LSDM-ja opozitare fitoi në 6 komuna. Koalicioni VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike) ka fituar 9 komuna. Koalicioni AKI (BDI dhe dy Aleancat për Shqiptarët, e Ziadin Selës dhe Arben Taravairt) ka fituar vetëm 4 komuna. Lëvizja Znam dhe Unioni i Romëve kanë fituar nga një komunë. Në Strugë fitoi kandidati i pavarur i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe VLEN. Levica nuk ka fituar asnjë komunë. Në katër komuna nuk u arrit cenzusi dhe do të organizohen zgjedhje të reja.
- LEXO: Gjithçka që ndodh, në kohë reale: Maqedonia e Veriut voton, mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, u hapën vendvotimet
- LEXO: Rezultati final i rrethit të parë të zgjedhjeve lokale në RMV (Infografik)