VLEN reagoi për situatën në Ansambël: BDI dhe satelitët e saj kanë shkatërruar kulturën shqiptare

Koalicioni VLEN ka reaguar për tensionet brenda Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe. Sipas tyre, BDI dhe satelitët e saj vazhdimisht kanë nëpërkëmbur kulturën shqiptare, dhe e fundit nga kjo nëpërkëmbje është edhe Ansambli me drejtorin e këtij institucioni, Shkodran Tolaj, i cili, siç shprehen nga VLEN, si arritje në karrierë ka vetëm faktin që është këngëtar personal i Ali Ahmetit, transmeton Portalb.mk.

“Rrëfimet e punonjësve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe janë skandaloze dhe të tmerrshme. Koalicioni VLEN përshëndet guximin dhe kurajon e këtyre punonjësve që kanë dalë publikisht për të shpalosur “mëkatet” e këngëtarit të Ali Ahmetit, Shkodran Tolaj. Ky person, në vend që të merret me avancimin e kulturës, është marrë me gjithçka tjetër përveç se me detyrën e tij primare, gjë që është emblematike për partinë që ka qeverisur këtë vend për 22 vite me kuadro joprofesionistë. Në vend se të zgjidhë statusin e punonjësve, ai ka zgjedhur t’i lë pezull dhe t’i degradojë, duke shfaqur arrogancën dhe mungesën e përgjegjësisë”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Koalicioni VLEN thotë se, Tolaj ka pasur mundësinë të zgjidhë statusin e artistëve, por zgjodhi të ndjekë të neglizhencën “si çdo institucion tjetër që udhëhiqet nga BDI dhe satelitët e saj”.

“I bëjmë thirrje edhe prokurorisë publike që të hyjë në këtë institucion dhe të sheh nëse ka skelje edhe më të mëdha të punës së tij. BDI dhe satelitët e saj kanë treguar paaftësinë e tyre për të menaxhuar institucionet publike dhe për t’u shërbyer qytetarëve. Përveç për krim dhe korrupsion, ata nuk kanë treguar aftësi në asnjë fushë tjetër, duke sjellë dëme të mëdha në shoqërinë tonë”, shtojnë nga VLEN.

Ndaj deklaratës së VLEN-it ka reaguar drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj, i cili thotë se u zbulua kush qëndron pas kësaj fushate linçuese ndaj tij si drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV.

Në vijim mund ta lexoni reagimin e plotë:

Për reagimin e sotëm të “Vlen” dhe akuzave që bëhen, sinqerisht jam i nderuar që shahem sepse më në fund u zbulua se kush qëndron pas kësaj fushate linçuese e të gërditshme mediale! Ju që flisni për paaftësi, pse nuk i shfrytëzuat aftësitë e juaja që ky problem të zgjidhet sepse kërkesën për pëlqime të vendeve të punës e keni të arkivuar në Ministrinë e Kulturës nga unë si drejtor që me datë 15 qershor por akoma nuk e keni procesuar deri në Ministrinë e Financave?! Eh po, nuk keni patur kohë të zgjidhni këtë problem sepse duhet ti kërcënoni dhe shkarkoni drejtorat duke lënë në “status kuo” 34 vende pune dhe një institucion! Për të mbuluar dështimin tuaj ju keqpërdorët punëtorët e ansamblit të cilët me hallin që kanë, u bënë pjesë e një linçimi të ulët e të gërditshëm me elemente cirkuziade politike në shërbim të disa portaleve e mediave që luftojnë për pak klikime e ekzistencë, në “kurrizin” tim si drejtor që nuk bie pre e shantazheve dhe kërcënimeve me asnjë çmim!
Unë e di që juve mund tu pengojë Skenderbeu, Adem Jashari, Ali Ahmeti, Nënë Tereza e shumë të tjerë por mos ngatërroni profesionalizmin me politikën!
Në ansambël jam vënë drejtor me bagazh profesional: 10 çmime të para kombëtare si interpret, 20 çmime të para si autor këngësh!
Si drejtor i ansamblit u kam sjellur 3 çmime të para ndërkombëtare dhe atë nga festivalet më të mëdha botërore, arkivimin e personaliteteve të harruara: Lorenc Antoni, Musa Piperku, vëllezërit Stafaj, Gani Grubi, dekorimin e atyre që ju nuk ua shkelët derën kurr: si vallëtari Cen Berisha, instrumentisti Sallah Shabani, interpretin Kadri Kadria, brendimin e aktiviteteve kombëtare “Dita e plisit” me 17 shkurt në Shkup, “Ditën e dëshmorëve” më 2 maj Kumanovë, Ditën e alfabetit më 22 nëntor në Manastir, Ditën e flamurit më 28 nëntor në Shkup si dhe gjurmim e koreografitë e para profesionale në zonat e paprekura Derven, Rekë, Kërçovë, Prespë!
Sa i përket paraqitjes me 2 gusht, ka qenë kërkesë e kryetarit të Parlamentit që ju e keni në kualicion që Ansambli të paraqitet me një pikë 3 minuta dhe 6 artistë. Kjo paraqitje dëshmon se unë nuk e kam politizuar kurr ansamblin por ju nuk respektoni as njëri tjetrin si partnerë brenda kualicionit!
Unë e di që e keni rëndë, sepse pas gjurmëve dhe historisë që shkruam në ansambël për pesë vjet duke punuar me emrat më të mëdhenjë të artit e kulturës mbarëkombëtare, vështirë dhe të pamundur do ta keni ta përsërisni këtë sukses që ju nuk e “kapërdini” lehtë!
Pavarësisht politikës që bëni në pamundësi dhe paaftësi për ta zgjidhur problemin, artistët e ansamblit nuk e kanë merituar këtë manipulim me ta! Sidoqoftë Ansambli shqiptar do jetojë dhe vazhdojë të ekzistojë e të shkëlqejë, sepse është institucion që tashmë nuk zhbëhet!

Ndryshe artistët që kanë qenë pjesë e Ansamblit, mbajtën dje konferencë për media. Ata thanë se në asnjë moment nuk kanë qenë të njoftuar për largimin, ndërsa përballen edhe me presione. Drejtori i Ansamblit paraqitjen e artistëve para mediave e konsideroi “cirkuz”.

Për këtë problem Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut ia ka hedhur fajin Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në lidhje me largimin nga puna të 34 artistëve. Nga atje theksuan se konkursi nuk është publikuar për shkak zgjedhjeve të majit.

Ndryshe, faqja e Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqipe në Maqedoninë e Veriut më 2 gusht ka nxjerrë performancë “live” për festën e Ilindenit me disa artistë që, nuk janë pjesë e Ansamblit. Kaq ka mjaftuar që artistë nga ky institucion, të cilët tashmë figurojnë si të papunë, të shpërthejnë në rrjetet sociale. Ata kërkojnë kthimin e të gjithë artistëve në punë dhe llogari nga drejtori i këtij institucioni, Shkodran Tolaj.

Ndryshe, Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut është themeluar në mbledhjen e 57-të të Qeverisë më 6 mars 2018 si institucion kombëtar i kulturës shqiptare.