Vjollca Fetahu Zalli: Mikrofoni përcjell botën e bukur shqiptare e të huaj, sakrificat për artin dhe kulturën
Sot për gjithë lexuesit e Portalb.mk sjellim bisedën me Vjollca Fetahu Zalli montazhere në Radio Tirana, rikthyem disa nga momentet më të bukura dhe sakrificat. Ajo ndau me ne disa nga kujtimet e saj, momentet nostalgjike dhe përvojën e saj e cila ka punuar gati një jetë si montazhere në Radio Tirana.
Portalb.mk: Vjollca na tregoni përvojën tuaj në Radio Tirana?
Vjollca Fetahu Zalli: Shkollë, kulturë, arsim, dashuri, argëtim, debat, dhimbje është mikrofoni i artë dhe magjik i Radio Tiranës që sapo festoi ditëlindjen e 86-të, shtëpia ime e dytë, dashuria ime. Unë isha nxënësja, dëgjuesja, adhuruesja e parë e saj në pultin e transmetimit e të regjistrimit.
Do ta filloja bisedën me një urim të ngrohtë nga zemra për popullin tim mbarë shqiptar, veçanërisht, për ëmbëlsirat e ëmbla, qershiza të vogla (vogëlushë), të rinj e të reja gëzuar dhe ardhtë i bardhë dhe i begatë viti i ri 2025 mos harroni gjuhën shqipe. Aty edhe e gjeta dashurinë time të përjetshme me gazetarin Shkelzen Zalli njëherit edhe autorë i shumë librave për fëmijë.
Isha 18 vjeçare, nga një familje e bukur, e thjeshtë, e madhe, e pastër në biografi, prindër të mrekullueshëm, me 6 vajza të mbara.
Pothuaj gjysma e klasës u emëruam në Radio Televizionin Shqiptar direkt nga shkolla Politeknikumi 7 Nëntori “Harri Fulls” dega Radio, dhe sot mban këtë emër është Universiteti profesional.
Thura dhe realizova shumë ëndrra rinore të bukura, falë radios, gazetarëve, të ftuarve nga të gjitha sferat e kulturës, mjekësisë, muzikës, ushtrisë, ishte shkollë e dytë për mua dhe për të gjithë dëgjuesit e saj kudo në botë. Dashuri, përvojë, magji edhe për të gjithë brezat e gazetarëve sot emra të shquar në botë e në gjithë televizionet mbarë trevave shqiptare kur takohemi shprehen me mall për shkollën “Ju flet Radio Tirana”.
Kam fatin që të ngjitem shpesh në ato shkallë të radios falë angazhimeve të mija krijuese, kërkuese, mallit, mundësisë për të pirë një kafe me miq ose me mbesën time dikur, 7 vjeçare e vogël zë ëmbël në emisionin e fëmijëve dhe sot gazetare po në këtë redaksi Tea Zani.

Portalb.mk: Na tregoni si filluat punën në Radio Tirana, momentet nga dita e parë e punës?
Vjollca Fetahu Zalli: Ishte fund vere, shtator, nuk e mbaj mend po shi nuk binte. Mes emocionesh u shpërndamë sipas listës disa në radio, disa në televizion. Bashkë me dy shoqet Dhuratën dhe Shqipen, u ngjitëm nëpër shkallët e bukura, të shtruara me tepih të pastër.
Xhama që shkëlqenin nga të katër anët të një holli katror në qiell të hapët që të mahniste, ashtu siç është edhe sot një mrekulli ku janë zhvilluar dhe zhvillohen edhe sot koncerte të muzikës popullore, të lehtë, simfonike dhe shijimi i një kafeje në dorë.
Lulëzonin lule, shelgje që kacavirreshin, vazo të mëdha me lule shqiponje e kaktuse impresioni i ditës së parë në punë të shoqëruara nga mikpritja me dashuri e shefes së kuadrit një zonjë fisnike, me vështrimet gjithë dashuri.
M’u duk çdo gjë çudi, si është e mundur të punoja në këtë vend të shenjtë ëndërr për këdo. Kur hyra për herë të parë në studion e transmetimit direkt u shtanga, momente shumë emocionues. Shihja si u dridhej zemra dhe zëri të ftuarve brenda në studion e teknikës kur bëheshin gati të hynin në mikrofon.
Kam vite që edhe unë po i provoj momentet e bukura emocionuese shpirtërore, dashurinë që të dhuron gazetaria, mikrofoni të rrëmben në botën e tij magjike, është kjo ndjesi kur jam e ftuar në radio a në televizione të ndryshme kur flas për librat e rinj.
Mikrofoni është magjik, tepër i bukur e mbresëlënës, çaste të vështira, ndoshta të një defekti teknik, një këputje shiriti, e çuditshme, këtë ndjeva përherë të parë në studion e transmetimit direkt.
Gjithmonë në studion e transmetimit ishin dy teknike njëra më e bukur se tjetra, nuse të reja që prisnin të sillnin në jetë të vegjlit e tyre, me përparëse ngjyrë deti, njëra në pultin e transmetimit, tjetra te magnetofonat hungarez që vendoste sipas radhës këngët të incizuara në studiot e muzikës në shirita që nuk fshiheshin, kronikat e lajmeve dhe emisionet që dëgjoheshin si rregull më parë për ndonjë gabim politik pa dashje. Në ato shirita incizohej mbi to përsëri, përveç disa materialeve që ruheshin në arkiv.
Portalb.mk: Sa ka qenë e vështirë të punoni në kohën kur ju keni filluar, sepse ju drejt nga bankat shkollore filluat punën në Radio Tirana?
Vjollca Fetahu Zalli: Arrita të mbroj gjuhën italiane ëndrrën time, të perfeksionoj në gramatikë gjuhën boshnjake të origjinës së prindërve të mi dhe pak anglisht falë përkthyesve të emisioneve të gjuhëve të huaja.
Çdo vit zhvilloheshin kurse specializimi në sektorin teknik nga inxhinierët dhe falë ndihmës së pakursyer të teknikëve më të specializuar. Dhe kështu brez pas brezi deri sa hyri teknika digjitale dhe u hoqën magnetofonat dhe pultet e mëdha.
Falë sponsorit të Radios mbas viteve 90`ta ndoqa dhe mbrojta të pesë metodat e kompjuterit risi në ato vite. Njoha dhe shijova nga afër zhanre të ndryshme muzikore, opera, melodi, balete aq të bukura botërore sa kam nostalgji edhe sot, jam e lumtur kur i kujtoj.
Portalb.mk: Na trego disa nga ato momentet nostalgjike që ende i mban në mend edhe pse tash më jeni e pensionuar?
Vjollca Fetahu Zalli: Vite të tëra me tre turne, në transmetimin e gjuhëve të huaja gjithë natën ku akoma mbretëronin aparaturat sovjetike altoparlantë të mëdhenj me poça elektriku dhe duhet të qëndroje ditë natë para pultit të kontrolloje nivelin e Amplitudës së matësit që quhej Ampermetër.
Po kështu ishte dhe punohej në studion “Aparatura qendrore” ku mblidheshin të gjitha daljet e transmetimeve dhe përsëri me fisha kabllore dërgonin sinjalin radiofonik brenda dhe jashtë Shqipërisë, me valë të gjata e të shkurtra në stacionet të ndryshme, Cërrik e në stacionin e Shijakut.
Transmetimi direkt në studio kanali i parë në valën 99.5 megaherc mbaronte në orën 00:00 të natës dhe fillonte përsëri në orën 05:00 të mëngjesit. Në këtë studio punonin dy teknikë të kualifikuar zakonisht vajza. Tepër bukur, tepër e vështirë, por me përgjegjësi të madhe.
Dasmat, ekskursionet, festat jubilare, gëzimet familjare, duke mos harruar hallet, ndaheshin mes shoqeve. Përsëri mblidhemi herë pas here edhe kur kthehen të mërguarit siç u mblodhëm së fundmi në festën e Radios ditëlindjen e 86` të Radios.
Vështirësi, frikë nga njëri tjetrin ishin ato vite diktature. Kujdesi policor në çdo kat, as në tualet nuk shkonim dot pa zëvendësues se të priste ndëshkimi nëse ndodhte ato moment defekti. Po ia dolëm nuk u dënua asnjë nga ne, përjashtim nga puna, tre muaj në prodhim. E rëndë ishte përjashtimi nga radio i teknikes më e zonja për biografi dhe shumë vite më vonë u rikthye në radio. Një gëzim i madh edhe për ne të gjithë teknikët.

Portalb.mk: Me çka merreni tani pasi jeni pensionuar?
Vjollca Fetahu Zalli: Tani merrem me rritjen e fëmijëve, librat e rinj, dorëshkrimet e shkrimtarit gazetarit mësuesit tim, të ëmbël e rigoroz Shkëlzenit, dashuri e përjetshme. Këto janë pak nga përvojat e mia të vyera e të rralla, dhurata që sot duhet të paguash. 45 vite me dashurinë për këtë vend të bukur, ëndrra e çdo të riu aso kohe mbas viteve 70-80-ta.
Portalb.mk: Një mesazh deri te audienca e gjerë?
Vjollca Fetahu Zalli: Përmes fjalës së bukur shqipe, muzikës, shpirti i dëgjuesit sado i mërzitur përjeton çaste magjike.
Mikrofoni përcjell botën e bukur shqiptare, të huaj, sakrificat për artin, kulturën gjithçka të bukur.
Ja pra ky është arti radiofonik, i bekuar nga Zoti, i vështirë po i bukur.
Zonja gazetarësh, artistesh, shkrimtarësh, studiuesish në të gjithë sferat, sa të lumtura krenare do jeni kur, do t’u qëndroni më pranë penave që përçojnë mesazhe për një botë më të bukur, veçanërisht te fëmijët. Ruajini me dashuri dhe botojini ose dërgojini në arkiv dorëshkrimet e tyre se janë të vyera edhe për brezat e rinj. Puna me librin është magjike, është dashuri.
Lumturia që më dhurojnë fëmijët, ëmbëlsirat e vogla, prindërit nga gjithë trevave shqiptare, më japin jetë, kjo falë ekspozimit të librave në panairet mbarëkombëtare, si në Itali, Bruksel dhe para pak ditësh në Kanada Toronto. Fëmijët janë pasuria dhe bukuria më e bukur në botë.
Sa bukur do të ishte, që në vegjëli zemrat e vogla të ushqehen me dashurinë për fjalën e bukur shqipe, sidomos fëmijët në mërgim.
Mos harroni kartolinat e urimeve si dikur brezi ynë, jo me celular, po të shkruar me dorën tuaj. Kujtimi më i bukur në botë për vitin e ri qershiza të vogla.
