Vërshime dhe përmbytje në Ballkan: Në Bosnje u rrit numri i viktimave

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme dhe përmbytje në Ballkanin Perëndimor. Situata më e rëndë është në Bosnje dhe Hercegovinë ku ka edhe viktima, ndërsa dëme u paraqitën në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, shkruan Portalb.mk.

Të paktën 21 të vdekur në Bosnje nga përmbytjet

Në Bosnje dhe Hercegovinë të paktën 18 persona kanë vdekur nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Sipas autoriteteve në Bosnje, numri i viktimave mund të jetë më i lartë pasi dhjetëra njerëz janë duke u kërkuar ende.

Në Bosnje është shpallur gjendje e fatkeqësisë natyrore për shkak të përmbytjeve.

Dëmet materiale janë të mëdha, ndihma kanë pralajmëruar nga Bashkimi Evropian, Kroacia, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia.

Përmbytje edhe në RMV

Mbrëmjen e djeshme reshjet e shiut shkaktuan dëme në zonën e Tetovës dhe Zhelinës.

Një furgon me 11 pasagjerë u bllokua, uji përmbyti disa shtëpi, oborre dhe rrugë.

Zjarrfikësit kanë marrë shumë telefonata nga qytetarët të cilët kanë kërkuar ndihmë.

Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK) paralajmëroi reshje të dendura shiu, veçanërisht në pjesën perëndimore, duke u bazuar në paralajmërimet e Drejtorisë për punë hidrometeorologjike (DPHM).

Lumenjtë dolën nga shtrati në Mal të Zi

Në Mal të Zi disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur pasi dy lumenj dolën nga shtrati si rezultat i reshjeve të dendura të shiut.

Përmbytjet ndaluan qarkullimin në disa fshatra.

Nuk u raportua për viktima.

Erërat e forta shkulën pemë.

Shumë familje u evakuuan në Shqipëri

Reshjet e dendura të shiut shkaktuan përmbytje edhe në Shqipëri.

Zona e Vlorës u prek më shumë, kështu rreth 30 familje u evakuuan nga shtëpitë e tyre.

Përmbytje u shkakruan edhe në Fier, Lushnje, dhe Pogradec.

Nga reshjet u përmbytën shtëpi, biznese dhe rrugë.

Nuk janë raportuar viktima.

Ndryshe, edhe Kroacia lëshoi ​​një paralajmërim për përmbytje për qytetin bregdetar të Rijekës dhe zonat e brendshme të vendit.