VENDI I LOTOFAGËVE

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Uliksi dhe bashkëluftëtarët e shijuan në vendin e lotofagëve ushqimin e vetëm, lulen e lotusit, që njerëzve u shkaktonte humbje kujtese sa e harronin edhe vendin e tyre.

Uliksit të Laertit, që bota ia këndoi dinakëritë dhe në qiell ia ngriti lavdinë, siç thuhet tek Odiseja nga Homeri, që e solli në shqip Pashko Gjeçi, iu desh që shoqëruesit t’i trazonte nga dalldia, sepse, pasi e shijuan lotusin, e harruan Itakën, vendin e gjallë me djem petrita, më të bukurin vend mbi dhé.

“Veç në të dhjetën ditë ne prekëm brigjet e lotofagëve. Ishte ky një popull, që ushqime tjera s’kish përveç një luleje… Lule lotusi na dhanë të hamë… Kujtdo që hante aso frutash të ëmbla, s’i binde më ndër mend t’kthehej në atdhe, donte ndër ta të ngulej përgjithmonë, e drekë e darkë t’shijonte gjell’n e tyre… U desh ahere t’i kap të tre me forcë, duke qarë t’i fus n’lundër dhe t’i nis”…  (Homeri, Odiseja, Buzuku, Prishtinë, 2003, f. 161 – 162.)

Pastaj, ashtu të helmuar, Uliksi dhe shokët filluan lundrimin nëpër det.

Uliksi dhe shoqëruesit ishin larguar nga Itaka, por me dëshirën për t’u rikthyer. Për Uliksin atdheu ishte mbi gjithçka.

“Në fund të shpirtit kurrë s’u bëra i tyre.  Ah, jo, s’ka gjë më t’ëmbël se atdheu, se njerëzit e tu! Helm t’bëhet jeta, sado mirë qofsh, kur je larg vatrës sate”. (f. 160.)

Por, ata që largohen të dëshpëruar nga vendlindja, diku tjetër do t’i shijojnë lulet e lotusit. Nëse brezi i parë i të mërguarve do të ketë mall për Itakën, brezat pasardhës zor se do të kenë mall për vendlindjen e të parëve.

Kur vendlindja s’të ofron lule lotusi, kur aty nuk ndodh asgjë, kur aty humb shpresa për një jetë më të mirë dhe më të sigurt, atëherë çdo vend tjetër të bëhet vend lotofagësh, ku harron gjithçka dhe dëshiron të nisësh jetë të re.

Kush e braktis Itakën e ka të pamundur rikthimin. Kthimi nga ekzili është i pamundur, thotë Milan Kundera. Kush jeton në ekzil kudo është i huaj. Atje dhe Këtu. Nëse kudo je i huaj, atëherë të vjen më mirë të jesh i huaj në vendin ku jetohet më mirë se në vendin ku jeta është e trishtë.

Shumica e atyre që largohen vështirë se do të rikthehen në Itakën e tyre. Pasardhësit do të flasin për vendlindjen e të parëve, por pa e parë kurrë. Gjithçka tjetër është propagandë… Madje edhe thënia se “guri i rëndë peshon në vend të vet”. Një vend e humb peshën nëse aty guri peshon më shumë se njerëzit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.