Vazhdojnë tensionet në Kuvendin e Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë sërish nga tensionet dhe incidentet, pasi deputetët e opozitës nuk kanë lejuar vazhdimin e seancës plenare ku ishte planifikuar të diskutohej mbi projektligjin “Për buxhetin e vitit 2024”, raporton Anadolu.

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë grumbulluar karriget në sallë, kanë hedhur tymuese dhe sende të tjera plasëse, duke mos lejuar diskutimet e deputetëve dhe vazhdimin e seancës.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në hapje të seancës u shpreh se “Fatkeqësisht opozita vazhdon në rrugën e paligjshmërisë”. “Nuk mund ta merrni peng Kuvendin”, tha Nikolla, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës.

Ndërkohë, deputetët e opozitës janë përplasur edhe me punonjësit e Gardës së Shqipërisë, pasi këta të fundit kanë ndërhyrë për të shmangur tensionet dhe incidentet.

I pranishëm në seancën e shkurtër ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në mes të tensioneve, seanca e cila zgjati rreth 8 minuta u mbyll nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërkohë projektligji “Për buxhetin e vitit 2024” u votua në tërësi me 74 vota pro, katër kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Në seancën plenare të datës 20 nëntor projektligji “Për buxhetin e vitit 2024” u miratua në parim, i cili tejkalon 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara.

Seancat e fundit plenare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë përfshirë nga tensionet.

Deputetët opozitarë kanë theksuar se “opozita është e vendosur që me këtë betejë në parlament të mbrojë me gjithë forcën të drejtat e saj kushtetuese”, pasi sipas tyre nuk respektohen të drejtat e tyre dhe nuk miratohen nismat dhe kërkesat e tyre.

Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë kanë deklaruar më parë se “parlamenti është shndërruar në një institucion personal të kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla”.