Kovaçevski për Pallçon: Ishte pjesëmarrës në aktivitete të financuara nga agjentura të huaja kundër interesave të shtetit

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për “360 Gradë” thekson se Lupço Palevski – Pallço, i dyshuari i parë për vrasjen e 14-vjeçarës Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Panço Zhezhovski, është pjesëmarrës në aktivitete kundër interesave të shtetit, nën ndikim të agjenturave të huaja, njofton Portalb.mk.

“Nuk e di krijimi i kujt është Palevski, megjithatë, një do ju them. Kush më bëri gijotinë vitin e kaluar në korrik para Kuvendit? Kush më bëri gjyq publik vitin e kaluar para Qeverisë? Kush organizoi gjuajtje të koktejeve të molotovit ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme? Kush e organizoi turmën që donte të hyjë në Qeveri gjatë miratimit të propozimit evropian? Këta njerëz ishin atje, ju kujtohet? Ju kujtohet se atje ishte edhe Palevski të cilin e përmendni dhe kryetari i Levicës dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, dhe përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe një anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Diskriminimit,, ju kujtohet se disa herë kam thënë se ka ndikim të agjenturave të huaja të cilat e financojnë atë, dhe për atë duhet të bëni intervistë me persona tjerë, jo me mua. Për shembull, me përfaqësuesit e organeve të sigurisë Dhe nëse është i dikujt ai Palevski, atëherë është i atyre që tërë vitin e kanë organizuar atë”, thotë kryeministri Kovaçevski.

Ai shtoi se organet hetuese dhe gjyqësore duhet t’i identifikojnë të gjithë ata që punojnë kundër interesave të shtetit dhe të institucioneve të shtetit, të cilët nën ndikim të agjenturave të huaja, shpërndajnë histeri dhe të cilët bëjnë gjithçka që shteti të mos vazhdojë në rrugën euroatlantike.

Ndryshe, sipas Prokurorisë dhe MPB-së Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Monetalisht ai ndodhet në Turqi, ku është kapur pas arratisjes nga RMV. Ministri i Drejtësisë, Krenar Loga nënshkroi kërkesën për ekstradim të Palevskit dhe pasi të përkthehet në gjuhën turke, menjëherë do t’u dërgohet autoriteteve turke, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë.