Uta Ibrahimi shkroi historinë, e para nga Ballkani që ngjiti 14 majat më të larta në botë: Fitore që nuk matet me çmime por me ndryshim

Alpinistja nga Kosova, Uta Ibrahimi ka përfunduar me sukses ngjitjen e majës së Kangchenjungës, dhe me këtë ajo u bë personi i parë nga Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta në botë. Pak ditë pas ngjitjes së fundit, në një bisedë për Portalb.mk Uta Ibrahimi rrëfeu më shumë nga kjo përvojë. E pamundshmja nuk më ndali, na tha Uta. Ajo është bërë shembull dhe frymëzim për shumë vajza dhe gra të tjera jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.

Portalb.mk: Jeni ngjitur në 14 majat më të larta në botë, na tregoni pak për këtë përvojë? Çka ju shtyu të zgjidhnit një rrugë kaq të pazakont si alpinizmi?

Uta Ibrahimi: Si fëmijë kam qenë shumë kurioze për natyrën, malet, kafshët, dhe për fatin tim të mirë, prindërit e mi gjithmonë kanë qenë të apasionuar për natyrë, kamping dhe shëtitje në natyrë. Kjo ka mund të ketë mbjellur një mua pasionin për bjeshkatari. Megjithatë ngjitja e 14 majave nuk ka qenë plan. Ka nisur si një thirrje e brendshme që s’mund ta injoroja. Kur nisa me malet, nuk mendova që do bëhem alpiniste. E ndjeja thjeshtë se më qonte diku që më ngjallte jetë. Më vonë, kuptova se është më shumë se sport, është mënyrë për me e kuptuar veten, me i thyer kufijtë që na janë vendosur si gra, si shqiptarë, si njerëz e si vend i vogël që “nuk bën gjëra të mëdha”. E çfarë është më e madhe se 8000 metra?

Portalb.mk: Në majat e larta nuk ka publik as duartrokitje, vetëm takime me bukurinë e tokës dhe rrezikun e vdekjes. Cili është motivi që ju mbanë të fortë deri në majën që ju e keni paraparë dhe sa është sfiduese qëndrimi në maja?

Uta Ibrahimi: Aty nuk shkon për famë. Nuk ka kush të duartrokasë. Ka vetëm ajër të hollë, lëvizje të ngadalshme, dhe një heshtje që të flet. Motivin nuk e kam kërkuar jashtë vetes. Është brenda, në atë zërin që të thotë “vazhdo, edhe një hap, edhe një herë”. Qëndrimi në maja nuk është triumf, është përgjegjësi. Duhet t’i jap vetes kohë me pushu, por edhe me reflektuar: pse jam këtu, çfarë kam mësuar, dhe a po e nderoj këtë përvojë? Për mua motivi më i madh ka qenë premtimi që i’a kam dhënë vetes dhe vendit tim, Kosovës. Kur ngjita Everestin, nuk ishte thjesht një ngjitje, ishte fillimi i një rruge që u bë mision: me e ngritë zërin e një vendi të vogël nëpër majat më të larta të botës. E kur e jep një premtim të tillë, nuk ka kthim mbrapa.

Ka pas raste të vështira shumë. Kam humbur kolegë në male, kam parë njerëz që i ka marrë orteku para syve të mi. Kam qenë në dyshim, në frikë, në dhimbje. Por në ato çaste, e kujtoja pse e kisha nisur këtë udhëtim. Dhe kur e ke një qëllim që nuk është vetëm për vete, por për diçka më të madhe-atëherë edhe kur të dridhen gjunjët, gjen forcën me vazhduar tutje.

Qëndrimi në maja është sfidë fizike dhe mendore. Nuk ka luks, nuk ka komoditet. Ka vetëm mbijetesë. Por edhe aty, në ajrin e hollë, e ndjej që ia vlen, sepse çdo majë që e prek, është një gur tjetër në murin që po e ndërtoj për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet në botë.

Portalb.mk: Sa kohë ju desh për ta përfunduar këtë projekt dhe cilat ishin sfidat? Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë një prej ngjitjeve dhe si e tejkaluat?

Uta Ibrahimi: Më mori gati një dekadë. Me pauza, me lëndime, me pandemi. Jo çdo vit ishte për ngjitje, ndonjëherë duhet të presësh, të përgatitesh, t’i përballosh humbjet. Momenti më i vështirë? Ka pasur shumë momente të vështira, malet nuk të kursejnë. Por dy më kanë lënë plagë që i mbaj ende me vete.

Njëri ka qenë në vitin 2021, pas një ekspedite shumë të rëndë në Annapurna, e më pas në Dhaulagiri. Isha në Nepal, duke përfunduar një nga ngjitjet më të rrezikshme, kur mora lajmin që babai im kishte ndërruar jetë. Ai ishte gjithmonë mbështetja ime, forca ime e heshtur. Pandemia, koha më e errët e dekadës, ma mori edhe mua një njeri të shtrenjtë, si shumë të tjerëve. E kam ndjerë fajin që nuk isha aty, e kam ndjerë boshllëkun që nuk mbushet më kurrë. U ktheva në Kosovë për t’u përballur me dhimbjen, por edhe për ta nderuar kujtimin e tij me atë që bëj më mirë me ngjitje, me qëndresë, me përkushtim.

Tjetri ka qenë këtë vit, në Shisha Pangma. Ishim një ekip ndërkombëtar. E ndjenim rrezikun që nga dita e parë, por nuk e mendon kurrë që do humbasësh katër njerëz, katër alpinistë që vetëm pak orë më parë ndanin ushqimin me ty, që qeshnin me ty. Kur orteku i mori, ajo majë s’ishte më një sukses, ishte një varr. Kam qëndruar gjatë në heshtje. Kam pyetur veten pse vazhdoj. Por pastaj kuptova: sepse çdo herë që ngjitem, e bëj edhe për ata që s’mundën ta përfundojnë. Sepse kujtimi i tyre bëhet pjesë e forcës time.

Këto momente nuk i tejkalon me logjikë, i kalon me zemër. Me respekt për jetën, me respekt për dhimbjen, dhe me vendimin për të mos u dorëzuar.

Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)

Portalb.mk: A mund të na tregoni përvojën tuaj në majën e Everestit? Cilat ishin emocionet kur arritët këtë majë?

Uta Ibrahimi: Everesti nuk është vetëm maja më e lartë, është simboli i pamundësisë që bëhet e mundur. Kur mbërrita atje, nuk bërtita. Vetëm qava. Qava për Kosovën, për çdo vajzë që i është thënë “jo NUK mundesh”. Ishte kulmi i një ëndrre që s’e kam ditur që po e ëndërroja. Kur u ktheva vendi im dhe familjarët, miqtë, klubet, bjeshkatarët dhe shumë tjerë më pritën me brohëritje, dhe jeta ime ndryshoi nga ai moment.

Portalb.mk: Çfarë përgatitje fizike dhe mendore kërkon ngjitja e një maje 8000 metra dhe si i zgjidhni malet që do i ngjitni?

Uta Ibrahimi: Ngjitja e një maje 8000 metra nuk është thjesht ekspeditë, është mënyrë jetese. Kërkon disiplinë të hekurt. Unë kam qenë shumë strikte me rutinën time. Vrap çdo mëngjes, pa përjashtim. Biçikletë jo për sport, por si mjet jete. Punoja me të, lëvizja me të. CrossFit për forcë, qëndrueshmëri, balancë. Ushtrime specifike për mushkëritë, këmbët, dhe sidomos për mendjen.

Dieta? E pastër. Ushqim që e përgatis vetë, me kujdes. Fruta dhe perime të freskëta, shumë nga bahçja ime. Pa shumë fjalë, thjesht e natyrshme, e pastër, e vërtetë. Trupi duhet me qenë në gjendje të përballojë mungesën e oksigjenit, temperaturat ekstreme dhe lodhjen që s’ka fund.

Sa për zgjedhjen e maleve, ndonjëherë i zgjedh vetë, ndonjëherë më thërrasin ato. I dëgjoj, i studioj, i respektoj. Çdo mal ka historinë dhe personalitetin e vet dhe duhet me qenë e gatshme me i’a dëgjuar ritmin, jo me ia imponuar tempon tënde.

Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)

Portalb.mk: A keni hasur në paragjykime apo pengesa si grua shqiptare në këtë fushë?

Uta Ibrahimi: Po, sidomos në fillim. Ka pasur shumë zëra që thoshin “Everesti nuk është për gra”, “nuk mundesh”, “është shumë për ty”. Kishte një lloj paragjykimi që s’thuhej gjithmonë me fjalë të drejtpërdrejta, por e ndjen në mënyrën si të shikonin, si dyshonin në aftësitë e tua, thjesht sepse je grua, edhe më shumë sepse je grua shqiptare.

Sot, nuk i marr më afër zemrës. Kur e kthej kokën pas, e kuptoj pse është dukur e pamundshme. Por jam shumë e lumtur që e pamundshmja nuk më ndali. Jam krenare që jo vetëm unë, por edhe shumë gra e vajza nga Kosova kemi treguar që jemi të barabarta, jemi të forta, dhe ia dalim në çdo fushë, edhe në ato që dikur janë konsideruar “jo për ne”. Kjo është fitore që nuk matet me çmime, matet me ndryshim.

Portalb.mk: Si ndiheni në rolin tuaj si Kampione e Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm?

Uta Ibrahimi: Është nder, por edhe mision. Nuk dua vetëm të ngjitem, dua të lë gjurmë që kanë kuptim. Të flas për ndryshimet klimatike, për barazinë, për natyrën që duhet mbrojtur, për fuqizimin e gruas. Me këtë rol, ngjitjet e mia nuk janë më personale, janë platformë për ndryshim.

Portalb.mk: Çfarë synon “Utalaya Foundation” dhe çfarë ndikimi ka pasur deri më tani?

Uta Ibrahimi: “Utalaya” është urë. Mes të rinjve dhe natyrës. Mes vajzave dhe mundësive. Kemi çuar fëmijë për herë të parë në male, kemi mbjellë pemë, kemi sjellë edukim për ambientin. Nuk jemi të mëdhenj, por jemi të guximshëm. Çdo hap që bëjmë është drejt një shoqërie më të vetëdijshme dhe më të barabartë.

Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)
Fotografi nga arkivi personal i Uta Ibrahimit. Foto: Uta Ibrahimi (Facebook)

Portalb.mk: Çfarë keni mësuar për veten tuaj nga përballjet me natyrën ekstreme?

Uta Ibrahimi: Kam mësuar që trupi është i fortë, por mendja është ajo që të ngjit. Kam kuptuar që frika nuk zhduket, por mëson të ecësh me të. Kam parë që jam më e vogël se një grimcë bore, por mund të bëj gjëra që duken të pamundura, nëse zgjedh të mos dorëzohem.

Portalb.mk: Cili do ishte mesazhi juaj për ata që duan ta sfidojnë veten në këtë aktivitet sportiv?

Uta Ibrahimi: Mos e prit lejen prej askujt. Filloni me malin afër shtëpisë. Bëjeni për veten, jo për Instagram. Dhe mos harroni: çdo hap lart, është hap edhe brenda. Është proces që të formon, jo vetëm si alpinist, por si njeri. E aty, në atë ngritje, do e gjeni veten. Dhe do e doni më shumë.